29tetor 2015 – Kreu i qeverisë, Edi Rama, sot në parlament i ka mësuar dhe akuzave për tenderin e makinave. “Keni bërë një gjullurdi të madhe për punën e makinave dhe keni folur lloj-lloj çudirash. E vërteta është se ne kemi ndryshuar sistemin dhe e kemi ndryshuar për të kursyer”, u shpreh Rama.
“E vërteta është se sot, qeveritë funksionojnë kështu për shërbimet qeveritare; jo me blerje dhe jo me mirëmbajtje secili si t’i teket, por me një sistem ku ajo që i intereson qeverisë është që makinat të jenë në gjendje pune dhe të jenë me standardet e sigurisë. Të tjerat i ka kontraktori.
Nëse totali i kostos, sikur të vazhdonim të blinim makina dhe të shpenzonim gjithë çfarë shpenzojmë për mirëmbajtjen, si mesatare është 636393, me këtë sistem është 494250 euro. Pra, vetëm në një vit, ne kursejmë 141873 euro. Diferenca në katër vjet është 567491 euro, pra, është gjysmë milionë e diçka më shumë euro më shumë që kursehen. Atëherë, përse të mos i kursejmë këto para! Për çfarë arsye të vazhdojmë me një sistem ‘futja kot’, secili bëj tendera, bli makina ngjyra-ngjyra e lara-lara dhe mirëmbaj secili sipas qejfit”. Por, ndërkohë, Rama ka bërë dhe një krahasim: Sa për emrin që ju impresionon, se ju jeni edhe nga zonat me faunë të zhvilluar, një Jaguar është më i lirë sesa Volksëagen dhe po e po sesa Mercedes Benz. Për këtë arsye, edhe kjo është kursim, nuk është shpenzim”.
Përballë këtij krahasimi të Ramës bëmë një verifikim në internet, duke krahasuar një Jaguar me një Tuareg dhe një Benz C Class dhe E Class për të parë çmimet e vlerësuara në vitin 2015. Këto çmime janë fillestare, duke u shtuar më tej me opsione të ndryshme, sipas dëshirës. Si duket kryeministri nuk e njeh tregun apo markat, përderisa nuk arrin të vlerësojë që një Jaguar jo vetëm në Shqipëri konsiderohet si makinë luksi e jo praktike, siç mund të jenë dy markat e tjera.
/portali DurresLajm/





