29 tetor 2015 – Një shpërthim me sasi të vogël eksplozivi është regjistruar në mesnatë në lokalin e një 62-vjeçari në Durrës.
Ngjarja ka ndodhur në lokalin e Kujtim Rrepcit në lagjen nr. 17, pranë shkollës “Pavarësia”, nga ku raportohet se nuk të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale (vetrata e lokalit).
Burime nga policia e Durrësit bëjnë me dije se pas marrjes në pyetje të pronarit të lokalit, i cili është me profesion ndërtues në qytetin e Durrësit, ai ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte më parë dhe nuk e di se kush mund të jetë personi tek i cili mund të dyshojë se është hakmarrë ndaj tij.
Por, nga këqyrja e vendit të ngjarjes, paraprakisht policia ka dalë në konkluzionin se autori që ka vënë lëndën shpërthyese, e cila nuk është tritol por lëndë artizanale (nga ato që përdoren për peshkim), nuk është profesionist. Dyshohet se autori e ka hedhur lëndën plasëse në largim e sipër dhe shkak mund të jetë bërë ndonjë inat i vogël që mund të ketë pasur ndaj ndërtuesit Rrepci.
Ndërkohë, hetimet e policisë po vazhdojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes si dhe identifikimin e autorëve.
/portali DurresLajm/





