28 tetor 2015 – 4 vjet nga vrasja misterioze e nëndrejtorit të SHISH-it në Durrës, Isa Çopa, dosja u arkivua e mbeti pa autorë. Të pyetur zyrtarisht në polici bëhet e ditur se për dosjen Çopa nuk është kërkuar mbledhja e provave të reja, dhe as nuk kanë patur prova të tjera shtesë për të.
Por në policinë e Durrësit, në Prokurori e në SHISH, nuk janë më të njëjtët drejtues. Madje as të njëjtët inspektorë që hetuan aso kohe për këtë dosje. Shumë prej kolegëve të tij nuk janë më në të njëjtat detyra, dhe disa prej tyre janë larguar përfundimisht jashtë vendit. Për drejtuesit aktualë të institucioneve ligjzbatuese në Durrës, dosja Çopa është e panjohur, për vetë faktin se drejtuesit e institucioneve në Durrës janë emëruar dy vitet e fundit, kohë që korespondon me transferimin e dosjes nga prokuroria e Durrësit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Të dhënat e fundit raportojnë se dosja numër 14,89 e Isa Çopës, ish-shefit të kundërzbulimit të SHISH-it, i gjendur i djegur brenda makinës së tij Opel Korsa, është arkivuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në pamundësi të mbledhjes së provave të reja, që mund të zbulonin shkakun dhe arsyen pse u vra në mënyrë makabre Isa Çopa.
Prokuroria e Durrësit e klasifikoi dosjen “vrasje” para se dosja të merrej në dorëzim nga Krimet e Rënda. Por që prej asaj kohe, kjo vrasje u arkivua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.
2 hetuesit më të mirë të organit të akuzës në Durrës Sokol Nishani dhe Enkelejda Xhengo punuan për mbledhjen e provave, madje në konkluzionet përfundimtare me ndihmën e ekspertëve gjermanë klasifikuan vdekjen në vrasje.
Sipas hetuesve, asnjë prej kolegëve të tij nuk ka dhënë të dhëna të vlefshme gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit në lidhje me dosjet që ka patur në shqyrtim apo punën që bënte prej 11 vjetësh 49-vjeçari. “Kështu funksionon organi. Pyet kolegët çfarë pune ishte duke bërë nuk dinë të të thonë”. Burimet saktësojnë se institucioni ku punonte Çopa është treguar shumë diskret.
Hetimet
Në dosjen e arkivuar gjenden fashkujt ku mjekët e institutit të mjekësisë ligjore kanë bërë këqyrjen e kufomës, dhe trupi ka qenë i djegur në një masë të madhe e krejtësisht i dëmtuar, çka mjekët ligjorë të vendit tonë e kanë patur të pamundur të shprehen nëse është vrarë, por në anën tjetër nuk kanë asnjë provë që të faktojë shkakun e vrasjes. Ekspertiza mjeko-ligjore në atë kohë nxori në dritë faktet se 49-vjeçari Isa Çopa ishte qëlluar në kokë me mjete të forta, por dëmtimi në masë të madhe nga djegia linte shumë dyshime. Pas ekzaminimit të kryer nga ekspertë të Laboratorit Kriminalistik rezulton se gëzhoja e gjetur në makinën e viktimës i përket armës së zjarrit, e llojit pistoletë Makarov, që rezulton të jetë arma e tij e shërbimit.
Ndërkaq, nga ana e ekspërtëve mjeko-ligjorë, pranohet se viktima ishte i dëmtuar në pjesën e kokës, dëmtim ky që nuk ka ardhur nga e shtëna me armë zjarri, por dyshohet nga mjete të forta.
Hetuesit e Durrësit nuk kanë mundur të sqarojnë dot faktin nëse Çopa është qëlluar me armë para se të digjej automjeti, apo pas djegies së tij, për shkak se me provat shkencore, nuk është bërë dot e mundur. Kjo, nisur nga fakti se gëzhoja ka qenë e padëmtuar, ndërsa arma pothujse kishte shkrirë si pasojë e nxehtësisë së madhe të zjarrit. Edhe trupi i 49-vjeçarit ka qenë pothuajse i dekompozuar, për shkak të djegies masive.
Ndërkaq, një tjetër kërkesë e prokurorisë së Durrësit, drejtuar kompanisë celulare është verifikimi i numrave celularë që kanë qenë pranë ish-agjentit të SHISH-it.
Në zonën e Kallmit ku u gjet trupi i tij i djegur brenda në automjet, gjendet antena celulare. Hetuesit janë të bindur se nga analizimi i të dhënave, verifkimi i tyre do të tregojë edhe numrin e celularit të personit, i cili ka qenë në këtë zonë më pranë tij, gjatë orëve që ka ndodhur krimi. Mbi këto baza hetimi është dërguar dosja në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, të cilëve iu bie detyra të zbardhin atë çfarë ndodhi mbrëmjen e 24 tetorit 2011 në Durrës.
/K.H. portali DurresLajm/





