27 tetor 2015 –  Besim Pengili mori armën tip “Kallashnikov” mëngjesin e sotëm dhe kërcënoi se do të vriste veten. Në ato momente ai ndodhej në banesë bashkë me bashkëshorten, vajzën dhe nipin.

Në gjendje të rënduar psikologjike dhe pas një sherri me bashkëshorten, ai ka kërcënuar se do ta vrase atë dhe më pas veten.

Pas kësaj skene, bashkëshortja e tij mori nipin dhe doli nga banesa. Ndërkohë vajza e tij 26-vjeçare qëndroi me të atin duke tentuar ta bindte që të ulte armën.

Bashkëshortja e Besimit njoftoi policinë, e cila mbërriti menjëherë duke rrethuar banesën. Pas më shumë se një orë negociatash, forcat operacionale “Shqiponjat” dhe efektivet e Komisariatit nr. 3 arritën të negocionin me Besim Pengilin.

Pas neutralizimit, policia e shoqëroi 54-vjeçarin në ambientet e Komisariatit nr. 3. Sipas të afërmve, Besim Pengili ka ushtruar dhunë disa herë ndaj bashkëshortes së tij pasi vuan nga depresioni.

Njoftimi i policisë

Më datë 27.10.2015, në Sallën Operative ka mbërritur një telefonatë se në rrugën “Jordan Misja” në një banesë private bashkëshorti e ka kërcënuar me armë bashkëshorten. Ajo menjëherë ka dalë nga banesa ndërkohë vajza e saj S.K, 26 vjeç, ka qëndruar pranë të atit i cili ka tentuar të vrasë veten, shtetasit Besim Pengili, 54 vjeç, i cili në tronditje të rëndë psikike ka nxjerrë armën për të vrarë bashkëshorten.

Menjëherë pas telefonatës forcat e Policisë të Komisariatit nr.3 kanë vendosur perimetrin e sigurisë si edhe kanë rrethuar banesën. Forca Operacionale “Shqiponja” në bashkëpunim me efektivet e Komisariatit nr.3, pas një pune mirëfilli kanë arritur të negociojnë me shtetasin Besim Pengili, duke bërë edhe neutralizimin e tij. Gjithashtu në vendngjarje kanë qenë edhe negociatorët e repartit RENEA. Personi u shoqërua në mjediset e Komisariatit nr.3, në vendngjarje u sekuestrua edhe arma e zjarri tip automatik”.

/portali DurresLajm/