13 tetor 2015 – Shkon për t’i kërkuar ish-të dashurës që të rilidheshin dhe e sheh me një djalë tjetër në kafe, xhelozia e pushton dhe i rreh të dy në lokal.
Ky është veprimi që ka bërë 26-vjeçari nga Tapiza e Krujës, Ali Seferi, i cili sipas policisë, është hedhur direkt në “sulm” duke rrahur ish-të dashurën dhe djalin me të cilin shoqërohej ajo.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në lagjen “Frutikulturë” të Kamzës në Tiranë, dhe pas incidentit në lokal, policia e arrestoi menjëherë autorin e ngjarjes.
“Panorama” shkruan se ka qenë vetë vajza e dëmtuar, 23-vjeçarja me iniciale E.T., e cila ka telefonuar policinë duke denoncuar ngjarjen, e më pas ajo ka treguar me detaje edhe në Komisariat atë se çfarë kishte ngjarë
Vajza ka deklaruar se ish-i dashuri e ka fyer dhe e ka kërcënuar se do ta vriste, më pas e ka goditur me grusht atë dhe djalin me të cilin ishte e shoqëruar.
Ndërsa djali xheloz, Ali Seferi ka rrëfyer para oficerëve se kishte shkuar me synim që ta takonte ish-të dashurën dhe t’i kërkonte që të lidheshin sërish, por kur e ka parë të shoqëruar me një djalë tjetër, është bërë xheloz. Për këtë arsye, ai nuk ka pritur që të bisedonte me të, por menjëherë e ka rrahur në mes të lokalit.
/S.L. portali DurresLajm/





