8 tetor 2015 – Lajmi për mungesën e kryeministrit serb në stadium për ndeshjen Shqipëri-Serbi, u bë i ditur një ditë më parë. Por sot shefi i qeverisë serbe, Aleksandër Vuçiç e konfirmoi zyrtarisht, përmes një letre të hapur drejtuar mediave serbe ku sqaron edhe arsyen.

Vuçiç thotë se nuk do të vijë në Shqipëri për shkak të politizimit të jashtëzakonshëm të kësaj ngjarjeje sportive. Duke dënuar fuqishëm edhe sulmin që iu bë autobusit të kombëtares serbe ditën e djeshme nga disa tifozë shqiptarë, kryeministri Vuçiç u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të garantojnë sigurinë maksimale për lojtarët e tij.

Letra e kryeministrit Aleksandër Vuçiç:

“Serbia dhe Shqipëria vitin e kaluar kanë punuar shumë për mirëkuptim të ndërsjellë dhe krijim të kontakteve të rregullta që kontribuojnë për një bashkëpunim më të mirë politik dhe ekonomik mes dy vendeve. Ne kemi filluar të flasim për projekte të mëdha dhe të rëndësishme, të tilla si ndërtimi i autostradës Nish-Durrës hekurudhore Beograd-Podgoricë-Shkodër-Tiranë. Unë besoj se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me pritjen e studentëve më të mirë serbë ka dërguar një mesazh të rëndësishëm jo vetëm për popullin tonë, por edhe në të gjithë botën.

Në përputhje me rrethanat, dhe për shkak të politizimit të jashtëzakonshëm të një ngjarje sportive, pas disa bisedave telefonike me kryeministrin Rama, kam vendosur për të mos udhëtuar në Elbasan. Si Kryeministër i Republikës së Serbisë dënoj fuqishëm sulmin e huliganëve nga tifozët shqiptarë ndaj lojtarëve tanë dhe u bëj thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë siguri përpara, gjatë dhe pas ndeshjes. Lojtarët tanë duan fitore, por para së gjithash, luftoni për emblemën dhe flamurin e Serbisë”.

/S.L. portali DurresLajm/