7 tetor 2015 – Imazhi i policit rrugor që rri i fshehur ndanë rrugës, për t’u shfaqur befas krenar se zuri prenë që do ta gjobisë rëndë, se ka shkelur rregullat e qarkullimit, duket më se i përshtatshëm për të përshkuar shtetin e sotëm të shqiptarëve. Polici, edhe mund të falë kundërvajtësin, por këtë kënaqësi e ka vetëm ai, sepse është ai që ka në dorë edhe ligjin e mund ta vërtisë si të dojë.

Edhe pse ka shumë arsye përse dikush shkel rregullat, çdo njëra prej tyre është e ndëshkueshme, por çfarëdo qoftë shkaku nuk është kjo mënyra që zgjidh kundërvajtjen. Sepse ndryshe nuk ka si shpjegohet që, edhe pse në Shqipëri shikon më shumë policë në rrugë se në çdo vend të botës, ku mund të përshkosh qindra kilometra e nuk të kap asnjë prej tyre, sërish në vendin tonë, niveli i aksidenteve dhe shkeljes së rregullave është i lartë. Kjo ndodh pse polici rri i fshehur në ferra. Ai nuk është në rrugë për të parandaluar shkeljet apo aksidentin, por për t’u shfaqur pasi ajo ka ndodhur, se kështu ai mund të gjobisë e të mbushë arkën e shtetit sipas urdhrave të eprorëve të tij apo se kështu mund të ketë mundësi të negociojë gjobën e të fitojë ryshfet.

Me të njëjtat akte e të njëjtat personazhe, veçse me kostume e skena të ndryshme, shfaqet për ditë shteti ynë. Ja shikoni se çfarë po ndodh me aksionin e antiinformalitetit. Administrata tatimore sot ka një personel prej 1200 vetash, pa përfshirë 400 tatimorët që u punësuan me kontratë të përkohshme. Në të gjithë territorin e vendit ushtrojnë aktivitetin rreth 140 mijë biznese (rreth 30 mijë janë shtuar vetëm këtë vit). Burime për “Monitor” nga ekipet e kontrollit në terren thonë se një punonjës mund të kontrollojë deri në 20 biznese në ditë. Me llogari të thjeshtë do të mjaftonin vetëm 6 ditë për secilin punonjës për të kontrolluar të gjitha bizneset në të gjithë Shqipërinë. Nëse do të konsiderohej se 43% e bizneseve janë përqendruar në Tiranë (sipas INSTAT), atëherë verifikimi bëhet edhe më i thjeshtë dhe më i shpeshtë. Atëherë po pjesën tjetër të vitit çfarë bëhet. Por shteti nuk është aty. Ai kujtohet vetëm ndonjëherë për dy arsye, ose të gjobisë rëndë se ka arkën bosh ose të marrë ryshfet për të lehtësuar penalitetin e “viktimës”. Po ashtu siç edhe me udhëtimin në rrugë, nuk është polici dhe as tabela ata që ulin aksidentet apo kundërvajtjet, por elementet e sigurisë, rruga me standarde, shenjat paralajmëruese dhe sigurisht, mund të rrijë edhe polici, por për të paralajmëruar me kujdes.

Mirëpo, edhe pse e dinë mirë, kjo nuk po ndodh me aksionin antiinformalitet. Gjobëvënia është kthyer në misionin e këtij aksioni. Ndërkohë, presioni i taksave të larta, korrupsioni, dhe mungesa e likuiditetit, sikundër vërejti raporti i fundit i forumit ekonomik, po e ndryshon biznesin, duke i krijuar barriera të forta. Nga ana tjetër, drejtësia është e vështirë të vihet. Sot, gjykata administrative ka një staf vetëm prej 12 vetash, ndërsa volumi i dosjeve që fle është me herë më i lartë. Shefi i FMN-së pohoi së fundmi se ka prova se kontrabanda dhe evazioni ndikojnë veçanërisht në të ardhurat nga TVSH-ja dhe akcizat.

Mirëpo gjithë ky presion i shtuar, që rrjedh nga një ekonomi që s’po ecën me ritmin e duhur, mbytës nga gjobat e rënda dhe korrupsioni i frikshëm, diku do të shfryjë. Në mos në refuzim do të sjellë edhe më shumë informalitet. Biznesi e ka paralajmëruar këtë tashmë. Ndaj shteti, në fillim të dalë nga ferrat buzë rrugës dhe të ndihmojë njerëzit e tij.

Revista “Monitor”

/portali DurresLajm/