23 shtator 2015 – Për pak orë multimilioneri 32-vjeçar Martin Shkreli u shndërrua në shqiptarin më të urryer pas vendimit që mori për të rritur me 5000% çmimin e “Daraprimit” (pilula që ndihmon personat e prekur nga AIDS-i dhe kanceri. Një kurë e posaçme që ndihmon imunitetin e organizmit të tyre të luftojë infeksionet vrasëse).

Të gjitha mediat ndërkombëtare nisën të shkruanin për vendimin egoist të tij duke bërë që të shpërthente në masë zemërimi publik. Por, me sa duket Shkreli është prekur nga të gjitha ato që u thanë, dhe tashmë ka vendosur që ta ulë çmimin.

Shqiptaro-amerikani që drejton “Turing Pharmaceuticals”, deklaroi për mediat amerikane se çmimi do të ulet, por nuk qartësoi se sa do të kushtonte një pilulë në të ardhmen. 

“Ne kemi rënë dakord që ta ulim çmimin e ‘Daraprimit’ deri në një pikë që është më e përballueshme, por që e lejon edhe kompaninë të gjenerojë fitim, një fitim shumë të vogël”, u shpreh Shkreli.

Multimilioneri bleu të drejtat për prodhimin dhe shitjen e “Daraprimit” në muajin gusht për një shumë prej 55 milionë dollarësh. Para se ta blinte, “Daraprimi” shitej në treg për 13.5 dollarë një pilulë, por Shkreli e rriti brenda natës në 750 dollarë.

/S.L. portali DurresLajm/