22 shtator 2015 – Humb jetën në mënyrë tragjike një person në Indi, pasi u varros i gjallë nga punëtorët e rrugës, të cilët nuk arritën ta shihnin viktimën që kishte rënë pa ndjenja në një gropë.
Ky është fundi i tmerrshëm për 45-vjeçarin Latori Barman, mbi trupin e të cilit punëtorët hodhën pa e ditur, material të nxehtë që shërbente për asfaltimin e rrugës.
Ai qëndroi aty për disa orë, deri në momentin kur disa banorë të qytetit të Katnit panë një krah duke dalë nga asfalti. Pavarësisht tentativave për ta shpëtuar, Barman u nxor i vdekur nga toka, shkruan "Mirror".
Dy punonjësit që po merreshin me asfaltimin e rrugës u arrestuan dhe akuzohen si përgjegjës për vdekjen e të ndjerit.
/S.L. portali DurresLajm/