21 shtator 2015 – Populli i Greqisë ka rikonfirmuar edhe njëherë fitoren e Syriza-s të Aleksis Tsipras, duke e renditur si forcën e parë politike në vend, të ndjekur nga Demokracia e Re.

Sidoqoftë, partia e Tsipras nuk mund të qeverisë dot e vetme, pasi nuk ka siguruar mbi 38% të votave ose 151 vende në Parlament. I gatshëm për koalicion është shprehur lideri i Grekëve të Pavarur, i cili ka marrë 10 vende.

Kur janë numëruar 67 % të votave, Syriza ka arritur të marrë 35.43%, kundrejt 28.31 të Demorkacisë së Re. Neonazistët e Agimit të Artë konfirmohen forca e tretë politike me 7.03% të votave. Me pas vjen PASOK 6.39%, Partia Komuniste me 5.46%, Grekët e Pavarur 3.65%.

Përkthyer në vende në Parlamentin e Greqisë, Syriza ka siguruar deri tani 144 vende, Demokracia e Re 76 vende dhe Agimi i Artë 19 vende, PASOK 17 dhe Partia Komuniste 14 vende, Grekët e pavarur 10 vende. 

Zgjedhjet u vëzhguan me interes të madh nga jashtë Greqisë, sepse fituesi i tyre duhet të sigurojë ndërmarrjen e reformave të thella ekonomike, të domosdoshme për ndihmën prej 86 miliardë eurosh, që Tsipras u detyrua të nënshkruante në gusht me partnerët e Athinës nga Eurozona. 

Votimi i të dielës shënon herën e tretë brenda një viti që grekët detyrohen të shkojnë në qendrat e votimit, pas zgjedhjeve të përgjithshme të janarit, që sollën Tsiprasin në pushtet, si dhe referendumit të korrikut, për të pranuar ose jo marrëveshjen e re të shpëtimit dhe masat shtrënguese të imponuara nga Bashkimi Europian.

/portali DurresLajm/