15 shtator 2015 – Punonjësit e administratës publike që nuk gëzojnë statusin e nëpunësit civil, në rast se do të hiqen padrejtësisht nga puna dhe gjykata do t’u japë të drejtë, do të mund të fitojnë vetëm 1 vit pagë, por jo rikthimin në vendin e punës.
“Panorama” shkruan se ky është ndryshimi që Qeveria i ka bërë Kodit të Punës, duke hequr dispozitën që u jepte të drejtë punonjësve të larguar pa arsye të ligjshme, të riktheheshin në pozicionin e mëparshëm të punës. Në projektligjin që po diskutohet në Parlament, neni 146 i Kodit të Punës është ndryshuar në ligjin e ri, dhe paragrafi specifik që mbron punonjësit e administratës pa status, është hequr në përkufizimin i rikthimit në punë.
“Neni 146 pika 3., Zgjidhja e kontratës, pa shkaqe të arsyeshme nga punëdhënësi, është e pavlefshme. Punëmarrësi ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblimin deri në një vit pagë, që i shtohet pagës që ai duhet të marrë gjatë afatit të njoftimit”, thuhet në projektligjin e ri të Kodit të Punës.
Por pjesa që është hequr dhe që është zbuluar nga kryetarja e Komisionit të Integrimit, Majlinda Bregu, thekson se: “Për punëmarrësit në administratën publike, kur ka një vendim gjykate të formës së prerë për kthimin në vendin e mëparshëm të punës, punëdhënësi është i detyruar ta zbatojë këtë vendim”.
Në administratën publike janë një sërë funksionesh që quhen “punonjës të shërbimit”, si mësuesit, infermierët, policët, ushtarakët dhe sanitarët që preken, nëse kjo mbrojtje ligjore do të hiqet. Zv.ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Genta Sulaj, tha dje gjatë mbledhjes së Komisionit të Integrimit se do ta rishikonte këtë nen, pasi nuk e kishte parë mirë”. Do ta shqyrtojmë edhe një herë, nuk e kisha parë”, tha Sulaj.
Deputeti i PS-së, Sadri Abazi, akuzoi deputetët e djathtë se nuk e kanë zbatuar Kodin e Punës në 8 vite për personat që fituan të drejtën nga gjykata. Ndërsa kryetarja e Komisionit, Majlinda Bregu, mori shembullin e ministrit të Jashtëm, i cili e fitoi të drejtën nga gjykata.
“Po ju them rastin e zotit Ditmir Bushati, i cili nuk pranoi të kthehej në vendin e punës në Ministrinë e Integrimit, sepse po zhvillonte karrierë në PS. Por, sipas legjislacionit dhe vendimit të Gjykatës, ai mori të gjithë dëmshpërblimin sepse e fitoi gjyqin”, tha Bregu.
/portali DurresLajm/