Qeveria Rama, me një VKM që mban datën 30.07.2026 dhe nr.621, ka shfuqizuar një VKM të mëparshme, të vitit 2020, që lidhet me, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE DURRËS, BASHKIA DURRËS, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT, SI NJËSI ZBATUESE”.

Me këtë VKM të re, qeveria Rama shfuqizon zonën nr.5 të rindërtimit në Durrës (PDyV nr.5) të miratuar disa muaj pas tërmetit shkatërrimtar të nëntorit 2019, dhe që përfshin një jesë të madhe të zonës historike të qytetit bregdetar, mes të cilave edhe hapësirën ku planifikohej të zbatohej projekti TID, i Foondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit është pasqyruar menjëherë shfuqizimi i Planit të Detyruar Vendor Durrës, nr.5, siç mund ta shihni në linkun bashkangjitur: https://planifikimi.gov.al/index.php?id=1095

Qeveria Rama ngarkon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkinë Durrës, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi, që hyn në fuqi menjëherë, sapo të publikohet në fletoren zyrtare.

Por çfarë nënkupton realisht shfuqizimi i PDyV nr.5?

Burime nga bashkia Durrës bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se ata do të jenë në komunikim të mëtejshëm me institucionet e tjera si Ministria e Infrastrukturës, FShZh dhe AKPT për zbatimin e kësaj VKM-je, por paraprakisht me shfuqizimin e saj, të gjitha projektet e restaurimit, rindërtimit, rikonstruksionit apo prishjeve në të gjithë hapësirën urbane që përfshin kjo PDyV kanë rënë poshtë.

Urbanisti dhe koordinatori i “Lëvizjes Bashkë” për Durrësin, Artan Kacani, i cili e publikoi i pari lajmin, shkruan në një postim në rrjete sociale se shfuqizimi i PDyV nr.5 është një fitore e banorëve që preken nga projekti TID Durrës, të cilët për muaj me radhë kanë protestuar kundër shembjes së pronave të tyre dhe shpronësimeve në vlera shumë më të ulta sesa vlera reale e tregut imobiliar në këtë zonë historike, në qendër të Durrësit.

“Zona 5 e Rindërtimit në lagjen Kala është shfuqizuar nga AKPT. Kjo është një fitore e banorëve që prej muajsh po luftojnë për shtëpitë, pronën dhe të drejtën për të mos u dëbuar nga lagjja e tyre. Për muaj me radhë, Zona 5 dhe PDyV-ja janë përdorur si justifikim administrativ për shembjen e banesave, në funksion të projektit TID dhe të një modeli zhvillimi që vendos projektet mbi qytetarët. Tani që vetë AKPT e ka hequr nga këtë Plan, duhet të bëhen publike arsyet e shfuqizimit dhe të hetohet se mbi çfarë baze janë kërkuar dhe planifikuar më parë shembjet. Banorët nuk po kërkojnë privilegje: po mbrojnë shtëpitë e tyre. Dhe kjo fitore tregon se kur qytetarët organizohen dhe rezistojnë, edhe vendimet që duken të pakthyeshme mund të rrëzohen. Sëbashku mundemi!”,– shkruan Kacani.

M.B.