14 shtator 2015 – Në mbarë vendin sot nis viti shkollor.

Dyert e shkollave do të hapen për afro 500 mijë nxënës, mes të cilëve dhe për 30 mijë vogëlushë të cilët do të ulen për herë të parë në bankat shkollore, ku do të studiojnë me tekste të reja.

Ky vit përbën risi për sistemin arsimor, pasi për herë të parë janë shtuar 120 laboratorë, ku mësimi do të zhvillohet me pajisje dixhitale. Po ashtu, nga reforma që Ministria e Arsimit ndërmori këtë vit, 76 mijë nxënës të klasave të para dhe të gjashta, do të punojnë e mësojnë me tekste shkollore të reja, botime të emrave të mëdhenj siç janë “Oxford”, “Cambridge” dhe “Pearson”.

Por, edhe pse është punuar që gjithçka të shkojë më së miri, për një numër shkollash në Tiranë dhe Durrës, zhvillimi i mësimit do të bëhet me dy turne.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, dërgoi ditën e djeshme një mesazh urimi për të gjithë nxënësit e mësuesit, si dhe ka paralajmëruar reformat e mëtejshme, që do të ndërmarrë Ministria.

/portali DurresLajm/