11 shtator 2015 – Dasma me muzikë elektronike apo muzikë live?

Përgjigjja po bëhet gjithnjë e më e lehtë. Në dasmat që organizohen vitet e fundit në shumicën e rasteve ftohen DJ, një profesion që po bëhet gjithnjë e më i kërkuar.

Tashmë orkestrinat e shquara të viteve 1980-2000 me formacione nga 4-5 orkestrantë dhe këngëtarë po zëvendësohen masivisht nga specialistët e muzikës elektronike DJ (disc jockey ose deejay).

Fenomeni është përhapur shumë në vitet e fundit dhe sipas një vëzhgimi në Durrës, më shumë se 90 përqind e dasmave organizohen me DJ.

Organizimi dhe pjesëmarrja masive e të rinjve, dashamirës të muzikës elektronike, si dhe shpenzimet më të vogla se sa orkestrinat muzikore i kanë bërë gjithnjë e më të kërkuara shërbimet e DJ në dasmat shqiptare.

Gjithsesi, për brezat e përtej 50-vjeçarëve orkestrinat mbeten të pazëvendësushme për virtuozizmin e instrumentistëve dhe emocionet që krijojnë në festat më të rëndësishme për jetën e njeriut.

/portali DurresLajm/