4 shtator 2015 – Qindra turistë të huaj kanë vizituar gjatë stinës së verës kantinën e prodhimit të verërave dhe pijeve alkoolike të Durrësit, duke lëvruar një degë pak të njohur të turizmit të produkteve lokale në vendin tonë.
Të organizuar nga një agjenci turistike, numri i tyre ka ardhur duke u rritur dhe po ashtu interesi për njohjen me teknikat e prodhimit si dhe me larminë e produkteve të kësaj kantine.
Gjatë këtij viti kanë mbizotëruar turistët që vijnë nga Çekia, Sllovakia, Polonia, etj. Përveçse njihen me proceset e prodhimit, turistët me grupe deri në 100 vetë çdo fundjavë degustojnë mjaft prej tyre. Më pas ata blejnë produktet më të dëshiruara.
Ky është një nga rastet e pakta të turizmit që promovon produktet lokale në vendin tonë. Kantina e verërave dhe pijeve alkoolike “Gjergj Kastrioti” është një nga më të vjetrat në të gjithë Shqipërinë.
/portali DurresLajm/