29 gusht 2015 – Në ditën e shtatë të itinerarit 12-ditor Greqi-Shqipëri-Kroaci (shih poshtë itinerarin), të shtunën, më 29 gusht 2015, ora 7:00 e mëngjesit mbërriti në portin e Durrësit, në kalatën 4, jahti luksoz legjendar Sea Cloud, dikur anije-qeveri-ambasadë-presidencë-patrulluese, me një moshë 85 vjeç. Sipas programit, anija me 30 vela, njëkohësisht kroçierë,  Sea Cloud, pronë e kompanisë detare  Sea Cloud CruiSeS GmbH, Hamburg, u bregëzua në Durrës, pastaj me autobus të 59  turistët, 52 prej të cilëve amerikanë, u nisën “në kryeqytetin e vjetër të Krujës, për vizitë në tregun mesjetar dhe Muzeun Etnografik. Gjithashtu për vizitë në Muzeun e Skënderbeut, kushtuar heroit kombëtar të Shqipërisë”. Është nisur nga Saranda, më 28 gusht 2015, ora rreth orës 14:00 dhe e ka marrë “me nge” kursin drejt Durrësit. Rreth orës 16:00 të 29 gushtit shkon Kotor të Malit të Zi.  

Info 1 / Të dhënat teknike

Ndërtues: Krupp Friedrich Germaniawerft – Kiel, Gjermani

Viti i ndërtimit: 1931, rinovuar në vitin 2011

Flamuri: Maltë

Porti regjistrimit: Valletta

Menaxher dhe pronar Hansa Shipping – Hamburg, Gjermani

Gjatësia e përgjithshme: 109,50 m

Gjerësia: 14,94 m

Zhytja: 5,13 m

Lartësia e direkut kryesor lart kuvertë: 54,20 m

Sipërfaqja gjithsej e velave: 3 000 metra katrorë

Numri velave: 30

Shpejtësia: përafërsisht. 10 nyja

Tonazhi: 2 532 tonë

Kapaciteti për udhëtarë: 64

Ekuipazhi: përafërsisht 60

Kabina: 32 kabina (prej të cilave 10 kabina janë origjinale me vaskë /WC apo dush /WC dhe 22 kabina me dush/WC)

Orendi: rroba banje, tharëse flokësh, telefon, ajër të kondicionuar, siguri privacie

Zonat e përbashkëta publike: kuvertë-pishinë me bar, restorant (69 vende) me tapiceri, sallë pritjeje me bibliotekë, zonë për përdorim laptopi, spital

Info 2 /Jahti romantik

Prekja e një porti nga Sea Cloud-i konsiderohet kudo në botë si ngjarje e rëndësishme, jo vetëm për faktin se është tepër luksoz, por edhe për “biografinë” 84-vjeçare.  Sea Cloud u ndërtua në Kiel, Gjermani si një anije për kompaninë amerikane për  EF Hutton & Co. U përurua në vitin 1931, me emrin  Hussar II; në kohën e ndërtimit, ishte jahti më i madh privat në botë. Në vitin 1935 ambasadori amerikan në Moskë Xhozef Dejvis (Joseph E. Davies) bleu anijen dhe i vuri emrin  Sea Cloud. Si një njeri me ndikim politik, Dejvis-i argëtonte shumë njerëz të profilit të lartë në anije, duke përfshirë Mbretëreshën Elizabeta të Belgjikës. Madje ka shërbyer si “ambasadë”, pasi zyrtarë sovjetikë dhe amerikanë qëndronin dhe takoheshin në anije. Ambasadori ia ofroi me qira ministrisë amerikane të Marinës në vitin 1941, por nuk u pranua nga flota ushtarake. Presidenti Ruzvelt (Roosevelt) nuk ishte dakord të hynte në shërbim të ushtarak, duke theksuar se ishte anije shumë e bukur për t’u sakrifikuar. Megjithatë, më 7 janar 1942, marina rivlerësoi pozicionin, duke e përdorur si anije-stacion meteorologjik, duke i hequr katër direkët, lyer në gri si luftanije dhe e armatosi. Ka shërbyer edhe në Rojën Bregdetare gjatë viteve të Luftës II Botërore. Është dekoruar për merita lufte. Në vitin 1947 u kthye në shërbim civil, në vitin 1949 u pajis me një grup komplet të ri prej 29 velash. U lye me ngjyrë bardhë, dhe në kiç u pikturua një shqiponjë ari. Rikonstruksioni i anijes mori gati katër vjet. Pronësia shkoi nga Dejvisi tek e shoqja pas divorcit, e cila vendosi të shesë anijen. Rafael Truhiljo (Trujillo), diktatori gjakatar i Republikës Dominikane, bleu  Sea Cloud-in në vitin 1955, duke i vënë emrin e së bijës  Angelita. Jahti shërbeu si banesë dhe zyrë qeveritare. Pas vrasjes së Truhiljo-s më 20 maj 1961, familja e tij u përpoq për të largohej bashkë me kufomën në bordin e jahtit për në ishujt Kanarie, por u detyrua të kthehej nga qeveria e re. Pesë vjet pas vdekjes së Truhiljos, anija, e quajtur tani Patria, iu shit kompanisë  Operation Sea Cruises, që iu vuri emrin  Antarna. Por në SHBA u bllokua nga autoritetet portuale pas një mosmarrëveshjeje. Pronarët ëndërronin ta kthenin në “shkollë oqeanike”, por u bllokua për 8 vjet në Panama. Një kompani nga Hamburgu e bleu edhe i vuri emrin e dikurshëm  Sea Cloud. Pasi lundroi në Evropë, mbërriti në portin e Hamburgut më 15 nëntor, 1978.  Sea Cloud-i për 8 muaj iu nënshtrua riparimeve në kantierin ku u ndërtua. U riprojektua për një kapacitet 64 udhëtarë dhe një ekuipazh prej 60 vetësh. Nisi lundrimin në vitin 1979. U përshkrua nga guidat ndërkombëtare si “anija me vela më romantike në det”. Në vitin 2011, iu nënshtrua një remonti tjetër. Është anija turistike më e lakmuar në botë nga shoqëria e lartë amerikane.

/th. m. portali “durreslajm.com”/