29 gusht 2015 – Fotot e një dasme në Iran, po bëjnë xhiron e radhës dhe po i shokojnë të gjithë. Protagonistët e dasmës janë një djalë 14 vjeç dhe nusja e tij, vetëm 10 vjeçe.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale shfaqin dy të martuarit në poza që imitojnë ato të të rriturve, ku në njërën prej tyre ai tenton të puthë gruan e tij të vogël.
Republika e Iranit thotë se martesat lejohen mbi moshën 15 vjeç për djemtë dhe mbi 13 për vajzat, vetëm nëse kanë konsensusin e babait. Ndërsa çifti në fjalë mori një leje speciale nga autoritetet për t’u martuar, ndonëse nuk kishte moshën e lejuar me ligj.
Në 10 vitet e fundit rreth 420.000 vajza nën moshën 15 vjeçe janë martuar në Iran me burra në disa raste deri në 60 vjeç, ose më shumë. Vetëm vitin e kaluar ka pasur më shumë se 40 mijë prej këtyre rasteve. Gjithashtu në vitet e fundit ka pasur disa martesa të vajzave që ishin më pak se 10 vjeçe.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/