23gusht 2015 – “Vogëlushi Elseid ngrihej herët në mëngjes për të luajtur futboll në ndonjë cep rruge në qytetin e tij të Shkodrës që ndodhet në veri të Shqipërisë. Elseidi e ëndërronte futbollin. Ai luante dhe më pas ndihmonte mamanë e tij Shpresa dhe tre motrat, ndërsa i ati u largua drejt Italisë në vitin 1996 kur ai ishte vetëm 2 vjeç”. Kështu e nis e përditshmja “Il Mattino” rrëfimin e jetës së mbrojtësit shqiptar që gjatë merkatos së verës bëri hapin e madh të karrierës duke u transferuar te Napoli.Që në moshën 14-vjeçare Hysaj emigroi drejt Italisë, ndërsa tashmë në moshën 21-vjeçare ai është një nga lojtarët më të mirë të Kombëtares Shqiptare. Në intervistën dhënë për gazetën italiane, Hysaj e nis rrëfimin me përrallën që po jeton. “Jam i vetëdijshëm për atë që ka ndodhur sepse histori të tilla përsëriten një në një milionë. Për këtë fakt më prekin shumë historitë e muajve të fundit ku mijëra emigrantë detyrohen të udhëtojnë me gomone për të shuar urinë. Të njëjtën situatë përjetonim edhe ne në vitet 90″, thekson 21-vjeçari me zemër të artë.