19 gusht 2015 – Motër e vëlla që emigruan nga Shqipëria janë bërë të njohur në SHBA si tregtarë dhe kuzhinierë të suksesshëm. Gazeta e famshme “The Boston Globe” ka botuar një lajm të titulluar “Market mesdhetar në Waltham”, ku përmbledhtas shkruhet:

Një paradë prodhimesh mesdhetare dhe të Evropës juglindore lidh raftet e “Alba Mediterranean Market & Bakery”, furrë buke e dyqan tipi “take-out” [ushqimore, ku gatuhen gjellë dhe shiten për t’u marrë me vete – “durreslajm.com”] që u hap në korrik 2015 në Moody Street, qyteti Uollthem (Waltham) në shtetin e Masaçusets-it (Massachusetts). Koleksioni eklektik përfshin vaj ulliri nga Greqia dhe Bullgaria, kafe nga Italia dhe Bosnja, si dhe paketa e biskota elbi, mjaltë, dhe çaj nga Greqia. Blloqe djathi kaçkavall feta greke dhe bullgare (6.99 deri në 8,99 dollarë për 454 gram), kos i freskët me yndyrë, fiq ose arra kokosi gjithë mjaltë (3,79 dollarë për 454 gram).

Pronarët Kristina Zeqo, 48 vjeçe dhe Stavros Kondo, 34 vjeç, janë një skuadër motër-vëlla që u larguan nga Shqipëria 17 vjet më parë. Kristina zuri vend në Uollthem me familjen e saj, kurse Stavrosi emigroi në Athinë, pastaj erdhi në Boston tre vjet më parë. Dyqani ka marrë emrin e nënës së tyre Alba Kondo, 71 vjeçe, e cila jeton në qytetin e Njuton-it (Newton). Stavrosi mori mësime për pastiçeri në Greqi dhe pjek trekëndësha bakllavaje madhështore me mjaltë dhe kokos apo arra, llokume, tollumba, kadaif dhe lloj-lloj krem-karamele e ëmbëlsirash me peta dhe fije. Kristina, kuzhiniere me përvojë, bën sallata, japrak, gatime të ndryshme me oriz dhe perime, byrek me spinaq etj. Arkëtare është e bija e Kristinës, Greta, 23 vjeçe. Dyqani me hapësirë, me mure të gjelbra ngjyrë sherbelë, është dekoruar me fotografi të qyteteve evropiane, nga e kanë origjinën ushqimet që shesin, duke u kujtuar se ku ka qenë familja dhe ku është tani. Shkruan në fund “The Boston Globe”.

/përg. th. m. portali “durreslajm.com”/