17 gusht 2015 –  Ethet e një nacionalizmi primitiv dhe idiot janë shfaqur dhe në gadishullin Iberik, ku del se Shqipëria paska qenë pjesë e Katalonjës në Spanjë. Një muze biskotash (Museu Trias de les Galetes) në qytetin spanjoll Zhirona (Girona) / Herona (Gerona), në verilindje të Spanjës, në komunitetin autonom të Katalonjës, 99 km në veri të Barcelonës, ka shtjelluar një “ri-interpretim të çuditshëm” të historisë dhe gjeografisë, njoftojnë mediet spanjolle. Për shembull, në kutitë e galetave, të vendosura në një ekspozitë, është vizatuar harta, ku rezulton se Aragon-i, Navarra, Mursia (Murcia) në Spanjë, si dhe Shqipëria, Mbretëria e Napolit dhe Mbretëria e Sicilisë, ishujt grekë Egjina dhe Eubea (Negroponte) ishin pjesë e shteteve katalanase, ku sundonin mbretër katolikë, para vitit 1327 (shih foton). Gjithë Mesdheu iu dashka dhënë katalanasve.
Në kuti gjithashtu mund të shihen emrat dhe portretet e 15 mbretërve katalanë që thuhet se janë nxjerrë nga një dorëshkrim rulon i arkivit të manastrit “Santa Maria” në Poblet.
Por përfaqësues të shoqatës shoqërore-politike NHC (No Hablamos Catalan – Nuk Flasim Katalanisht), e krijuar në vitin 2008, u bënë thirrje autoriteteve vendore të Aragonit të kryejnë menjëherë një punë edukative-historike për të hedhur poshtë këto fakte të rreme dhe të manipuluara.
Info
Platforma NHC lindi si një reagim kundër konceptit të “Shteteve / Vendeve Katalanase (Països Catalans)” dhe kundër pan-katalanizmit (pancatalanismo), koncept i krijuar në vitin 1899 dhe shndërruar në teori e praktikë në vitet 1915-1916. Organizata terroriste katalanase para disa kohësh kanë pretenduar krijimin e “Països Catalans”. Në këtë kuadër arrihet deri në marrëzira të tilla si harta, ku edhe Shqipëria, gjysma e Italisë dhe pjesa më e madhe e Greqisë u takon të bashkohen me “Països Catalans”.
 
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/