Nga Gëzim KABASHI
 
Durrësi ka disa emblema të lashta: Amfiteatri antik apo Torra mesjetare, Bukuroshja e Durrësit apo Bazilika e Arapajt, që na japin mundësi të krenohemi për paraardhësit që i ndërtuan aq mjeshtërisht, edhe pse nuk ua dijmë emrat.
Mes simboleve që vazhdojnë të na japin kënaqësi gjatë 100 vjetëve të fundit, por edhe sot, me siguri bën pjesë edhe akullorja dhe kasata “Bllaca”. Një markë shijeje e pandryshueshme.
Në vitet 1950 turistët dhe përfaqësuesit e ambasadave të huaja furnizoheshin në dyqanin privat “Bllaca”, profesioni dhe emri I nderuar i familjes së të cilëve gëzon të njejtin popullaritet edhe në shekullin 21.
Po cilët janë Bllacat, njerëzit që freskuan dhe vazhdojnë ti japin shije pushimeve verore për dhjetra mijë pushues e turistë që zgjedhin Durrësin bregdetar? Nga kanë ardhur? Ku e kanë mësuar “zanatin” që i ka rrëmbyer durrsakët, dhe jo vetëm atyre.
 
Gjirokastër-Stamboll-Durrës
 
Kjo histori nis në fillim të shekullit të kaluar në Gjirokastër, prej nga rrjedh familja Bllaca.
“Në fundin e viteve 1920, kur gjyshi vdiq, la pesë djem dhe dy vajza. Në këto kushte gjyshja fillimisht erdhi në Tiranë, e më pas iu drejtua Stambollit, ku jetonin dajat e Bllacave , ustallarë të njohur pastiçierë”.
Ajo që tregon sagën e familjes është Xhevi, që mban emrin e gjyshes Xhevrije, më e vogla e vajzave të Sulë Bllacës, emri i të cilit dhe i vëllezërve më të mëdhenj Fetah dhe Reshat identifikohet plotësisht me akulloren e famshme në Durrës.
“Babai ishte më i vogli i fëmijëve dhe në Stamboll ka qëndruar pak vite – por me sa duket mjaftueshëm për tu dhënë Bllacave “fjalëkalimin” e një profesioni që do ti bënte ata të shquar në qytetin antik të Shqipërisë.
Fetahu, vëllai i madh, hapi në Durrës dyqanin e parë me kremin e magjishëm dhe bashkë me të punuan edhe të vëllezërit Reshati dhe Sulejmani.
Po ndjenin kënaqësinë që të jep puna e ndershme, e pse jo edhe lëvdatat që merrnin nga të gjitha kategoritë e klientëve, vendas dhe të huaj.
Por nuk ka zgjatur shumë.
 
Si rrezikoi të humbasë akullorja
 
Diktatura komuniste që u instalua në vendin tonë e detyroi Fetahun të paguante shumat marramendëse të tatimeve të jashtëzakonshme të luftës, ndërsa më pas torturat vazhduan për floririn. “Fetahu dhe Reshati detyrohen të punojnë në Elbasan në të njejtin profesion – tregon Xhevi për fatin e xhaxhallarëve të saj, ndërsa kujton se xha Fetahu më vonë është transferuar në Manëz, vetëm për t’ju larguar “syut të ciklonit të së keqes”.
Akullorja dhe kasata e Bllacëve duket të kishin një fat të keq, ndërsa në vitet 1960 gjithçka u shtetëzua për t’ja lënë radhën kremit që bëhej në punishtet e shumicës.
Dyqani “Bllaca” në qendër të qytetit filloi ta humbasë nurin e dikurshëm.
Ndërkohë Sulejman Bllaca nuk u largua nga ndërmarrja e ushqimit social, që mbulonte edhe sektorin e pastiçerisë.
Durrsakët e mbajnë mend, teksa shërbente në lokalet e shumta, ku ishte kthyer në rutinë që të transferoheshin banakierët e njohur.
 
Akullorja dhe kasata shekullore
 
Po cili ishte fati I akullores “Bllaca”, aroma dhe shija e të cilës ishte krejtësisht e ndryshme me ato që hanim në vitet 1970-1980.
“Babai ynë, Sula nuk ia tregoi kujt formulën e akulloreve dhe të kasatave që përgatisnin vëllezërit Bllaca që në vitet 1930-vijon tregimin e saj Xhevi, duke shtuar për të jatin: Ishte I mençur dhe I zoti!
Sulë Bllaca duket e se e ka vuajtur pamundësinë për të punuar si privat dhe për ti dhënë vehtes kënaqësinë e munguar prej shumë vitesh.
Megjithatë në festat familjare, kur vinin miq, apo kur duhej nderuar ndokush atëherë ustai përvishte mëngët dhe bënte akulloret siç dinte ai vetë. Dhe jo vetëm akulloret e kasatat, por edhe limonatat, të cilat kishin një aromë krejt ndryshe.
Sulë Bllaca vdiq në vitin 1993, kur sapo kishte mbushur 70 vjeç.
Kishte jetuar intensivisht edhe vitet pas pensionit. “Shëtiste me biçikletë në breg të detit, madje lahej rregullisht në det deri vonë në vjeshtë-tregon Xhevi.
Po formula e shijshme? Usta Sula ka qenë me fat. Ndryshimet  e fillimviteve 1990 I dhanë mundësinë atij ti kthehej zanatit të vjetër, megjithëse vitet kishin bërë punën e tyre.
 
Formula magjike Bllaca
 
Në Durrës rikthehet marka “Bllaca” e akullores. “Fillimisht , djali I xha Fatahut, dr. Fahredini, zooteknik nga profesioni, hapi dyqanin e tij në rrugën “Aleksandër Goga”, ndërsa babi e hapi në bulevardin “Dyrrah” në një nga vendet ku kemi patur lokalet para luftës-tregon Xhevi, një nga pasardhëset e Bllacave.
Bashkë me babën punuan fillimisht vëllai, Adi dhe im shoq, Beni-vijon Xhevi, ndërsa tani me Adin punon vëllai tjetër, Fredi.
Çfarë ka ndodhur me formulën?
Sulë Bllaca nuk ka bërë dallim dhe formulën për akullore dhe kasata të shijshme e kanë mësuar të gjithë paraardhësit e tij, që atëherë kur ai qeraste miqtë e afërt në shtëpi. “Por në dyqan masat e qumështit duheshin përgatitur me nga 100 litra menjëherë-kujton Xhevi fillimin e viteve 1990.
Kjo ishte ndoshta shkolla më e mirë që ai na bëri para se të largohej nga kjo jetë.
Tashmë lokalet e Bllacëve në të dy anët e lagjes 11, në qendër të qytetit janë mjaft të njohura.
Por trashëgimtarët e “kremit magjik” nuk ndalen këtu. Adi ka ndërtuar një punishte të re, prodhimet e të cilës do të kenë mundësi të furnizojnë edhe Tiranën dhe qytete të tjera të vendit.
 

“Kartvizita” e akulloreve dhe kasatave “Bllaca” po udhëton nëpër qytete.