14 gusht 2015 –  Ka qenë për dy vjet ambasador i Britanisë së Madhe në vitet e “mbrapshta” (1996-1998) në Tiranë dhe ka mësuar shqip. Ambasadori, 65-vjeçari Harkort Endrju Pretorius Tesorier (Harcourt Andrew Pretorius Tesoriere) është emëruar kryetar i Misionit të BE-së për Asistencë Kufitare (EUBAM – EU Border Assistance Mission) në Moldavi dhe Ukrainë. Ai po e merr këtë post në një kohë vendimtare për Misionin, kur forcimi i sigurisë rajonale kufitare nuk ka qenë kurrë më jetik, njoftoi të premten, më 14 gusht 2015, selia e BE-së në Odesa të Ukrainës.
Duke folur për emërimin e tij Ambasadori Tesoriere tha: “Jam i kënaqur që u përzgjodha për këtë pozitë. Pres me padurim mundësitë (I very much look forward) për konsolidimin dhe forcimin e marrëdhënieve të ngushta të punës së EUBAM-it me partnerët tanë në Moldavi dhe Ukrainë, si me nëpunësit e shërbimit publik, ashtu edhe me përfaqësues të zgjedhur, komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile”.
Para emërimit të tij të ri, Tesorier-i ka shërbyer si zëvendësshef i misionit që nga dhjetori i vitit 2014. Ka përvojë të madhe në nivel të lartë me OKB-në, OSBE-në, NATO-n dhe Qeverinë Britanike, EUBAM-in, veçanërisht në menaxhimin e integruar të kufijve, lehtësitë tregtare, qeverisjen e mirë dhe ndërmjetësimin. Ish-diplomat i lartë britanik dhe specialist në çështje të sigurisë, ato transkufitare, qeverisjes dhe islame. Ka qenë ambasador britanik në Shqipëri (1996-1998), Letoni (2002-2005), Algjeri (2005-2007), nga viti 2008 ambasador i OSBE-së në Kirgistan; i ngarkuar me punë në Afganistan dhe Siri. Ka shërbyer në Forcat e Armatosura në Mbretërinë e Bashkuar, si Kryetar Ekzekutiv i Akademisë pasuniversitare të OSBE-së dhe ka studiuar gjuhë të ndryshme, duke përfshirë frëngjishten, rusishten, arabishten, spanjishten, farsi, pashto, letonishten dhe shqipe.
 
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/