Nga Gëzim KABASHI

14 gusht 2015 – Emri i Riza Kapedanit dhe ato të pasardhësve të tij janë shumë të njohur në Durrës. Prej gati 100 vjetësh kjo familje e ka lidhur jetën me zanatin e orëndreqësit, apo të sahatçiut, siç jemi mësuar t’i thërrasim në qytetin tonë.

Të gjithë djemtë dhe nipat e kanë trashëguar profesionin e gjyshit Riza, emri i të cilit për shumë kohë ka qenë i shkruar në fasadën e vilës së bukur të ndërtuar në vitin 1934 nga mjeshtri i njohur.

Sahati i Bashkisë

“Këtu përpara, ku është ndërtuar ambulanca e qytetit ka qenë një lulishte dhe shtëpia jonë binte në sy me sahatin e madh, të instaluar sipër saj”, tregon Selami Kapedani, 77-vjeçari që vazhdon të punojë në dyqanin e hapur në oborrin e banesës.

“Stërgjyshët tanë erdhën në Shqipëri nga Bosnja para 140 vjetësh dhe në fillim u vendosën në Kavajë, aty ku mbetën edhe xhaxhallarët e mij, Iliaz dhe Jup Kapedani, edhe ata orëndreqës me emër”.

Kur Rizai hapi dyqanin e tij të parë në pazarin e Durrësit “rivalë” të tij ishin Tufinat, sahatçinj të shquar, që më vonë lëvizën drejt kryeqytetit.

Bashkë me zanatin e nderuar, Riza Kapedani punonte edhe si përfaqësues i firmës gjermane “Mauthe” dhe radios amerikane “Bosch”, vijon Selamiu, sipas të cilit pllakën e parë të gramafonit në Durrës e ka regjistruar babai i tij.

Mjeshtri sahatçi Kapedani, 85 vjet më parë ka instaluar orën e madhe mbi bashkinë e qytetit, që na orienton edhe sot, ndërsa shumë vjet më vonë kur e detyruan të futej në kooperativën e shërbimeve shtetërore bashkë me disa shokë të tjerë krijoi edhe sahatin e parë mekanik që varej në mur.

Duket se nuk ka qenë e lehtë për të parin e Kapedanëve të pranojë zbrazjen që i bënë dyqanit të tij komunistët që erdhën në pushtet, të cilët degdisën drejt Bashkimit Sovjetik e Jugosllavisë sahatë të shtrenjtë të markave zvicerane “Longine” dhe “Omega”, si dhe shumë bizhuteri, pronë e familjes Kapidani.

Profesioni, pasuria më e madhe 

Usta Rizai kishte një pasuri më të madhe, profesionin.Djemtë e familjes Kapedani, Nazmiu që nuk jeton më, si dhe Selamiu e Ilmiu janë bërë burra mes sahatëve dhe veglave të punës së orëndreqësit.

“Kam qenë fëmijë kur kam rregulluar sahatin e parë”, flet  Ilmiu, i cili së bashku me djalin, Altinin, punojnë në dyqanin e tyre në bulevardin “Dyrrah”.

“Mbaj mend që isha në shkollën 7-vjeçare, kur hapja qepenin e dyqanit në mëngjes dhe pastaj, sapo mbaronte mësimi vrapoja përsëri për të ndhmuar babën”, vazhdon bisedën Ilmiu.

Edhe djemtë e brezit të tretë Rizai, Ibrajani, Arbeni e Altini e kanë trashëguar zanatin e sahatçiut, pavarsisht se ndonjëri prej tyre ka preferuar të jetojë e të punojë në Itali.

“Zanati është punë geni”, thotë me bindje sahatçiu i vjetër. “Ja shikoje zogun e rosës ti! Hidhe në ujë e nuk mbytet. Kurse zogu i pulës shkon në fund”, tund kokën Ilmiu, ndërsa vazhdon të punojë pas banakut me binokolin që herë pas here e vendos në sy me shkathtësinë e një djaloshi për të parë me kujdes detajet e imëta të një sahati të hershëm.

A mund të ripërtërihen zanatet? Sipas Ilmiut, mjafton t’i mbështesësh këto biznese të vogla, në mënyrë që profesioni të përcillet edhe tek të rinjtë e pasionuar.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/