14 gusht 2015 – Punimet për rikonstruksionin e pishinës publike të qytetit të Durrësit kanë hyrë në fazën e dytë të tyre. Këto ditë ka përfunduar edhe shtrimi me tapet izolues në të gjithë pjesën e brendshme, ndërsa shkallaret konsiderohen të përfunduara më parë.

Deri tani nuk ka informacion lidhur me furnizimin me ujë të basenit me përmasa olimpike, i cili për afro 40 vjet ka funksionuar me ujë të kripur që pompohej nga deti me anë të tubacioneve. Gjatë punimeve të fundit thellësia e pishinës është përgjysmuar, duke i shërbyer me sa duket edhe furnizimit më të lehtë me ujë të ëmbël të akuariumit me gjatësi 50 metra.

Nga ana tjetër pishina më parë ishte bërë krejtësisht e papërdorshme për motive konkurimi, pasi rezultatet e notarëve në ujë të kripur konsiderohen të pavlefshme.

Pishina publike e Durrësit, pranë muzeut arkeologjik, gjatë dy viteve të kaluara nuk ka funksionuar fare. Për herë të parë ajo po i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë me disa ndërhyrje në projektin e saj fillestar. Ajo duhet të përfundojë në gjysmën e dytë të muajit shtator.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/