4 gusht 2015 – Nga 1 gushti të gjitha kategoritë e pensioneve do të përfitojnë rritje. Qeveria ka vendosur të rrisë pensionet për moshën e tretë, ku veç pensionistëve pritet të përfitojnë dhe veteranët e luftës. Pensionet do të rriten me 1.4%, aq sa është edhe masa e inflacionit, ose ndryshe rritja e kostos së jetesës. Me këtë indeksim, pensioni minimal rritet me 170 lekë në muaj dhe vazhdon në varësi të masës së pensionit. Për ata që marrin pension maksimal shtesa do të jetë 340 lekë në muaj. Por veç pensionistëve, këtë herë do të përfitojnë dhe veteranët e luftës, të cilët prej vitit 2007 nuk kishin njohur rritje pensioni. Indeksimi i pensionit për këtë kategori do të jetë plot 15.6 %. Nga ky vendim qeverie përfitojnë 599 364 pensionistë dhe 6600 veteranë të Luftës Antifashistë Nacionalçlirimtare.
Indeksimi i pensioneve sipas kategorive
Qeveria vendosi më 22 korrik indeksimin në masën 1.4 për qind thuajse të të gjitha kategorive të pensionistëve si për pensionet e fshatit, qytetit, invalidët e luftës, ushtarakët, policët, gardistët, minatorët, akademikët etj. Sipas vendimit të qeverisë, indeksimin me 1.4 % e përfitojnë edhe pensionet, të cilat do të caktohen nga data 1 gusht e këtij viti e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 31 korrik e këtij viti, përfshirë edhe këtë datë.
Vendimi i djeshëm i qeverisë përcakton se pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në mbështetje të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të këtij ligji, si dhe pensionet e pleqërisë të punonjësve të minierave në nëntokë, të caktuara me ligjin nr.150/2014, datë 6.11.2014, që kanë datë fillimi deri më 31.12.2014, pas datës 1.8.2015 nuk do të jenë më pak se 12 436 lekë në muaj dhe më shumë se 24 872 lekë në muaj.
Po ashtu, pensionet e plota të pleqërisë, pensionet e plota të invaliditetit dhe pensionet e plota familjare, të caktuara në përputhje me paragrafin e katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me datë fillimi nga 31.12.2014 e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 8 516 lekë në muaj, por jo më shumë se 12 436 lekë në muaj. Ndërsa pensionet e parakohshme, të caktuara sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar, me datë fillimi nga 1.8.2015 e në vazhdim, nuk do të jenë më pak se 12 436 lekë në muaj.
Sa bëhet pensioni minimal dhe ai maksimal
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të ardhurat minimale të personave që përfitojnë pensionet e plota të pleqërisë (përfshirë edhe ato të caktuara me ligjin nr.150/2014, datë 6.11.2014), përjashtuar ato të caktuara sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe kompensime vetjake, me datë fillimi deri më 31.12.2014, nuk mund të jenë më të ulëta se 14 586 lekë në muaj.
Për personat që përfitojnë nga pensionet e caktuara sipas ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe kompensime për çmimin e energjisë elektrike e për të ardhurat, të ardhurat minimale nuk mund të jenë më të ulëta se 9 406 lekë në muaj dhe më të larta se 12 636 lekë në muaj.
Sipas vendimit të qeverisë, të ardhurat minimale të personave që përfitojnë pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, të ndryshuar dhe kompensime vetjake, nuk mund të jenë më të ulëta se 14 586 lekë në muaj.
Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, në shumën 568 000 000 lekë do të përballohen nga fondi i kontigjencës, i parashikuar në buxhetin e shtetit të vitit 2015.
Efektet financiare, që rrjedhin nga vendimi për veteranët përllogariten në shumën 16 600 mijë lekë dhe do të përballohen gjithashtu nga fondi i kontigjencës, të parashikuara në buxhetin e shtetit për vitin 2015.