31 korrik 2015 – Për një vajzë 22-vjeçare zgjidhja më e mirë është që të vdesë në Gjermani, se sa të kthehet e gjallë në vendin e saj në Kosovë.
E gjithë kjo vjen për shkak të refuzimit të kërkesës për azil politik në Gjermani. E reja është ngjitur pasditen e djeshme në çatinë e qendrës së azilantëve në Fichtelsee të Fichtelbergut, dhe me një thikë në dorë ka kërcënuar se do të bëjë vetëvrasje, shkruan portali gjerman ‘KURIER’.
Pasi ka tmerruar të pranishmit dhe prindërit e saj, vajza ka pranuar të zbresë nga çatia pas dy orësh përpjekje të policisë dhe të disa zyrtarëve gjermanë. Sipas medias gjermane, ajo u ka thënë prindërve të saj që më mirë e vdekur në Gjermani se sa gjallë në Kosovë.
Ajo ka një arsye të rëndësishme që nuk do të kthehet në Kosovë. 22-vjeçarja ka 18 muaj që ka shkuar në Gjermani së bashku me prindërit dhe dy vëllezërit e saj, të cilët jetojnë në një dhomë në qendrën e azilantëve afër Fichtelsee. Vëllai i saj ka thënë se e motra ka lënë në Kosovë bashkëshortin e saj të dhunshëm, i cili e kishte kërcënuar se do ta vriste atë dhe familjen. Kjo është dhe arsyeja që ata vendosën të largohen nga Kosova.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/