31 korrik 2015 – Një incident në Lotarinë kombëtare të Serbisë, ka shkaktuar zemërim të madh te qytetarët që shpresonin se lotaria ishte e pastër, larg korrupsionit dhe që mund t’ua ndryshonte jetën. Gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të shorteut mbrëmjen e së martës, një nga numrat u shfaq në ekran përpara se të tërhiqej gogla nga makineria.

Shumë serbë, përfshirë pensionistë dhe të papunë, për të cilët lotaria është e vetmja shpresë, panë se si nga makina doli numri 27, por në ekran u shfaq numri 21 dhe menjëherë më pas doli edhe gogla me numrin 21.

Pas asaj që u shfaq në televizion dhe zemëroi një popull të tërë, një prej drejtuesve të kompanisë tha se bëhej fjalë për një gabim teknik të personit që nxjerr numrat në ekran dhe se ishte “koincidencë e pastër” që numri 21 doli pasi ai u shfaq në grafikun televiziv.

Policia serbe ka ngritur një grup hetimi për të zbuluar të vërtetën e kësaj loje, raportojnë mediet ndërkombëtare. Edhe kryeministri Aleksandër Vuçiç ka reaguar për këtë rast, i cili tha se nëse do të zbulohet se ka ndonjë aktivitet kriminal, përgjegjësit do të përballen me ligjin. 

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/