• Statistikat “e gjelbra” / Eksportet e qarkut bregdetar deri më 30 korrik 2015: timus, sherbelë, rigon, kalli misri, stika, dru zjarri, farë bathe, shalqinj

31 korrik 2015 –  Të jesh shtet-ishull në jug të Azisë jugore, afër juglindjes së Indisë, kontinent dhe nën-kontinent i famshëm në të gjithë botën për beharnat, të pëlqejnë edhe erëzat shqiptare.

TIMUS DHE SHERBELË, SA SHUMË BLEJNË TURQIT DHE AMERIKANËT!

“Dyrrah”-u mësoi në drejtorinë rajonale të bujqësisë Durrës, në saje të mirësjelljes së kreut të saj Vasip Habili dhe specialistit Astrit Kuçi, se deri më 30 korrik 2015, sipas statistikave operative, ishin eksportuar nga bizneset e qarkut 293,4 tonë bimë mjekësore / etero-vajore (sherbelë, rigon, timus, livanda). Turqia ka importuar në Durrës 171 tonë sherbelë, pasuar nga SHBA-ja me 95 tonë, dhe Gjermania. Bie në sy një fakt kureshtar: ishulli-shtet i Sri Lanka-s (deri në vitin 1972 njihej si Cejlon), në juglindje të Indisë, së bashku me Kanadanë, kanë importuar 8 tonë lisna (latinisht: Thymus vulgaris L.), një nga erëzat dhe bimët mjekësore shqiptare. E ta mendosh se Sri Lanka është vetë e pasur me beharna. Por, me sa duket, aroma e veçantë e lisnës (timus) u ka marrë mendjen chef-ave aziatikë!

KOSOVARËT MARRIN KALLI MISRI

Në Kosovë misri piqet më vonë se në Shqipëri, thotë Kuçi, prandaj kemi eksportuar atje 4 tonë kalli misri të njomë. Shqiptarët janë të famshëm në ngrënien e misrave të pjekur (në Durrës, nëpër shumë kryqëzime, gjen njerëz të varfër që durojnë të nxehtin deri në 40 gradë për të shitur misra të pjekur). Po kështu në Kosovë janë eksportuar edhe 8 tonë speca.

ITALIANËT DUAN BATHË DHE DRU

Drejt Apenineve janë dërguar 50 tonë farë bathe. Boçet e pishës i duan së tepërmi italianët për të nxjerrë stikat që përdoren në pastiçeri dhe kulinari. Kështu ata kanë importuar deri më 30 korrik, 86 tonë boçe pishe, pasuar nga gjermanët me 18 tonë. Kurse piceritë e parapëlqejnë cilësinë e druve të zjarrit nga Durrësi dhe Kruja, duke importuar 100 metra kub. Nga ana tjetër, gjermanët kanë blerë 70 metra kub elemente druri për shtëpi (material porositësi, i riprocesuar).

SHALQINJ DREJT BALTIKUT

Drejtoria rajonale e Durrësit bëri të ditur se fermerët e këtij qarku kanë mundur të eksportojnë drejt Baltikut frutën kaq të ëmbël dhe freskues, me shije të veçantë nga të gjitha vendet evropiane, sikurse është shalqiri. Janë 40 tonë për Belgjikë dhe Lituani.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/