21 korrik 2015 – Pas sulmit terrorist të ndodhur ditën e djeshme në Suruç në Turqi, ku humbën jetën 30 persona dhe u plagosën rreth 100 të tjerë, një detaj prekës vjen përmes kësaj fotoje, ku dy të rinj kanë vdekur të kapur dorë për dore.

Ngjarja e kobshme që tronditi mbarë botën, sipas autoriteteve turke me shumë gjasa ka pasur si kamikaz një femër. Forcat e sigurisë turke janë mobilizuar më shumë se asnjëherë, pasi kjo është hera e parë që një sulm prek drejtpërdrejt vendin. 

Shpërthimi ka ndodhur në qytetin jugor Suruç, në kufi me Sirinë, në momentin kur në qendrën Federata e Socialistëve të Rinj po zhvillohej një aktivitet, në të cilin ishin të pranishëm rreth 300 persona.

Sulmin e tmerrshëm, politikanët turq e kanë dënuar ashpër, duke e cilësuar si një akt terrorist të pastër.

“Ne jemi të pikëlluar që 28 bashkëkombas tanë kanë humbur jetën, e qindra të tjerë janë plagosur. Në emër të popullit tim, unë i dënoj ashpër autorët e këtij brutaliteti”, tha presidenti Erdogan.

(Në videon e mëposhtme është momenti i sulmit terrorist)

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/