13 korrik 2015 – Vret tre pjesëtarë të një familjeje dhe një person të katërt vetëm pas një zënke për një vend parkimi.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Kasertano të Italisë, ku mbetën të vrarë 61-vjeçari Michele Verde, gruaja e tij 58-vjeçare Vincenza, djali i çiftit 23-vjeçari Pietro dhe 37-vjeçari që ndodhej rastësisht aty, Francesco Pinestro.

Autori i kësaj masakre, Luciano Pezzella, i cili u vetëdorëzua në komisariat, sipas medieve italiane mësohet të ketë thënë se e ka kuptuar që ka bërë një krim të tmerrshëm.

“Kam bërë një kasaphanë. Kam vrarë fqinjët e mi”, ishin fjalët e tij në momentin e dorëzimit.

Duke zbardhur dinamikën e ngjarjes, policia italiane tha se Pezzella ka dalë nga shtëpia dhe ka filluar të grindet me fqinjët, të cilët ishin pronarë të një dyqani fruta-perimesh, për parkimin e një furgoni që sipas tij nuk ishte aty ku duhej. Më pas, ai është ngjitur në shtëpi, ka marrë armën dhe qëlloi mbi ta duke i lënë të vdekur.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/