7 korrik 2015 – Fundjavën e kaluar në ujërat termale të Bënjës, pak kilometra larg Përmetit, mbizotëronte një atmosferë masive plazhi publik.
Banorëve të zonës përreth i bashkohen edhe gjatë javës pushues të ardhur nga qytete të tjera të vendit, si dhe mjaft turistë të huaj, që informohen përmes internetit për natyrën e mrekullueshme dhe cilësitë kurative të llixhave.
Krejtësisht të hapura për publikun, llixhat e Bënjës nuk kanë kufizimet e plazheve private të Adriatikut apo Rivierës së Jonit.
Gjashtë burimet që ndodhen në të dy krahët e kanionit të Langaricës i kanë dhënë jetë eskursioneve të shkurtra të pushuesve në shtratin e lumit, në kërkim të vlerave mjekësore të ujërave kundër reumatizmës, sëmundjeve të stomakut apo atyre të lëkurës.
Mungesa e personelit të specializuar si dhe e strukturave hoteliere nuk i pengon familjarët e të gjitha moshave që t’i shohin burimet termale të Bënjës si një pikëtakim mjaft të këndshëm në fundjavë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





