· NË 100-VJETORIN E LINDJES / Duke mishëruar konstitucionin shpirtëror të çiltër e të pastër durrsak, përmes humorit të hollë, të shëndetshëm e relaksues, ai përcillte shqetësimet për problemet sociale e politike.
· Barsoletat e tij edhe sot tingëllojnë aktuale, të këndshme e tërheqëse. E qeshura dhe reagimet emocionale që shkaktojnë, përbëjnë një katarsis të vërtetë.
· Disa gazmore janë bërë proverbiale. Ato qëndrojnë mbi humorin banal që vihet re në mjaft raste në shfaqjet e përjavshme televizive, ku secili aktor derdhet në kallëpe shabllone të personazheve, të cilët me fjalë e shprehje banale a nëndialektore të panevojshme, imponojnë të qeshurën, duke u konsumuar vazhdimisht
NGA SHPËTIM KODRA
DURRËS, 2 korrik 2015 – Familja Rexha, familje qytetare mjaft e njohur në Durrës, krijoi një traditë të bukur në sportin e notit që në vitet 30 të sh. XX, por u aktivizua edhe në fusha të tjera. Gjashtë vëllezër notarë të njohur: Osmani, Islami, Dauti, Shyqyriu, Shuaipi dhe Rasimi. Të gjithë njerëz të gjallë, të shkathët e plot me humor të trashëguar nga i ati Dilaveri, si dhe nga nëna Rukije. Njëri nga djemtë, Shuaipi, mbahet si rekordmen i maratonës. Dauti i binte trombës. Si për prindërit, ashtu edhe për djemtë, e të gjithë s’jetojnë më, qarkullojnë barsoleta të panumërta te durrsakët e vjetër. Ndër ta spikati Osmani, i cili në moshën 18-vjeçare u shpall kampion në 200 m stil i lirë në kampionatin e parë kombëtar të notit në gusht 1933 në Durrës. U mor edhe me futboll.
ORKESTRANT NË MARTESËN E ZOGUT
Osman Rexha (1915 -1976) ndoqi në Bolonja një shkollë për parukier. Ndoqi edhe një kurs për violinë me një profesor italian. “Ishte pjesëtar i orkestrës që dha koncertin në martesën e Zogut”, – tregon i biri, Luani, i cili gjithashtu u dallua në not, mësoi violonçelin dhe ndoqi profesionin e të atit. Osmani e merrte violinën në raste të veçanta, për të kënaqur të afërmit, miqtë dhe vetveten. Me kënaqësi të veçantë luante çardashet hungareze, disa herë me dr. Muhamet Agollin, i cili, po në Bolonja, ishte diplomuar për patologji e kirurgji, kishte ndjekur edhe një kurs për violinë.
ARTI PËR TË TREGUAR GAZMORE
Por shumë të njohur e popullor në Durrës e më tej e bëri Osmanin talenti i rrallë për të krijuar dhe arti i lindur për të treguar barsoleta (gazmore). Humori i tij, me frymëzim spontan, u shfaq në një truall të frytshëm në familje, por edhe në Durrës, ku janë dalluar njerëz të thjeshtë e me profesione të ndryshme, por edhe mjaft aktorë të njohur në shkallë kombëtare e të dirigjuar nga regjisorët Gj. Vlashi e H. Rama. Mjaft barsoleta tregojnë Refik Myshketa etj. Mund të bëhet një libër për të.
Duke mishëruar konstitucionin shpirtëror të çiltër e të pastër durrsak, përmes humorit të hollë, të shëndetshëm e relaksues, O. Rexha përcillte shqetësimet për problemet sociale e politike. Barsoletat e tij edhe sot tingëllojnë aktuale, të këndshme e tërheqëse. E qeshura dhe reagimet emocionale që shkaktojnë, përbëjnë një katarsis të vërtetë. Disa janë bërë proverbiale. Ato qëndrojnë mbi humorin banal që vihet re në mjaft raste në shfaqjet e përjavshme televizive, ku secili aktor derdhet në kallëpe shabllone të personazheve, të cilët me fjalë e shprehje banale a nëndialektore të panevojshme, imponojnë të qeshurën, duke u konsumuar vazhdimisht. Jo rrallë të vjen rendë t’i dëgjosh ato banalitete, sidomos në prani te fëmijëve, vajzave, grave e nënave.
FILOZOFIA POPULLORE
Të merresh me humorin është punë serioze, e vështirë. Dihet që kryeveprat e humorit janë shumë më të pakta sesa kryeveprat dramatike. Edhe qëllimi i humorit është serioz, pozitiv, terapeutik. Humori i zgjuar, i përshtatshëm me kohën, mjedisin e situatën, të relakson, të ngre moralin, të shton optimizmin, të ndihmon duke të qetësuar e kthjelluar për zgjidhjen e problemeve që shtron jeta. Është arma më e mirë kundër stresit, ilaçi më efikas për çtensionimin e gjendjeve të ndera e konfliktuale në familje, në punë, në shoqëri. Krijon atmosferë të ngrohtë e gazmore kudo, por kërkon edhe dëgjues bashkëpunues, mirëkuptues. Origjinaliteti, freskia, finesa, lakonizmi, zgjedhja e mençur e fjalëve dhe shprehjeve karakterizojnë barsoletat e holla të O. Rexhës. Në to fshihet filozofia popullore. Si tabelë qitjeje vihen veset, padrejtësitë, injoranca, korrupsioni, varfëria, mungesa e lirisë dhe dinjitetit njerëzor, të metat në sjelljen dhe karakterin e njerëzve. Sa herë përmendet Osmani, secili ve buzën në gaz: edhe ai që e ka njohur, edhe i riu që ka dëgjuar për të. Jeta është stafetë brezash e për të s’ka datë vdekjeje.
NDJESHMËRIA
Osmani ishte njeri modest, por edhe me sedër e i ndjeshëm. Në një rast shokun e tij, E. Miloti, që i tha: “Na ban me qeshë, Osman”, kur ai s’ishte në formë, e nxori jashtë dyqanit. Ndërsa një herë tjetër, kur ishin në lokal, në një moment të papërshtatshëm, një tjetër shok i tij i tha: ”Osman, pse s’e merr atë qemanen (violinën) tande”, Osmani e theu violinën në mur e s’e kapi më kurrë.
MIQËSIA ME TARANESHIN DHE XHOJËN
Humori në diktaturë ishte tejet i kujdesshëm, i sofistikuar, me nënshtresa kuptimore sipas parimit të ajsbergut e të bënte të reflektosh, por të krijonte edhe probleme. Besnik Taraneshi, këngëtar e kitarist, u bë i famshëm, por dhe rrezikoi burgun, me këngën “Djaloshi e shiu” në festivalin II të këngës në RTSH. Ai kishte shok Osmanin, por edhe Artistin e Popullit Nikolin Xhoja. Kur ata bashkoheshin, vërshonin gazmoret dhe këngët italiane. Osmani kishte dy djem, Luanin dhe Çezarin (që vdiq mjaft i ri), si dhe dy vajza, Dritën e Marinën. Kësaj të fundit ia vu emrin pas këngës italiane “Marina” që u bë mjaft popullore edhe në Shqipëri. Besniku më tregoi barsoletat e mëposhtme, por për O. Rexhën ka shumë të tjera të bukura, me të cilat H. Rama më tha se do të bëjë një spektakël humoristik për të.
DISA NGA BARSOLETAT
Humori i tij brilant shfaqte elementin komik në kontrastet e të bukurës me të shëmtuarën, të shkakut me pasojën, të seriozes me qesharaken, si dhe në kthesat e papritura të rrjedhës logjike. Osmani ligjëronte barsoletat njëra pas tjetrës, shpesh pa menduar për konsekuencat që rridhnin.
Partia e Qejfit
Në kafe “Ylli” ishte ulur Gafuri me dy shokë të tij, njeri nga të cilët ishte sekretar partie ndërmarrjeje, por burrë i mirë. Kalon andej Osmani dhe e thërrasin. Për të pirë ai ishte gati. Pa filluar mirë biseda, Gafuri i thotë në vesh Osmanit: “Kujdes me fjalët, se është sekretar partie shoku përballë”. Sikur t’i kishte thënë të kundërtën. Pas disa bisedash e gazmoresh, Osmani i drejtohet sekretarit: “Me cilën parti je ti?”. Të gjithë u shokuan. U nxi në fytyrë edhe sekretari, i cili pas pak tha: “Po ti, shoku Osman me cilën parti je?”. Dhe Osmani ia ktheu: “Me Partinë e Qejfit”.
Kur qethi Enver Hoxhën
E kërkon Nako Spiru Osmanin që të shkonte me të në Bllok për të qethur E. Hoxhën. E porosit rrugës: “Shiko, se mos i merr lekë shokut Enver!”. Shkojnë atje. Pasi mbaron punë, E. Hoxha ngrihet dhe nxjerr nga xhepi lekët. Osmani i merr qetësisht. Nakoja rrugës i flet me ton të ngritur: “Sikur të thashë, më duket, të mos merrje lekë”. Dhe Osmani: “Po si thue ti, t’ia prishja “Babës” unë?!”
Peshqit e mëdhenj janë në mbledhje
Osmani vinte në lojë me ironi pushtetarët e lartë. Shprehte me humor fin refuzimin popullor të sistemit socialist, duke pasqyruar ëndrrën për Italinë kapitaliste. Se sa profetike ishin barsoletat e tij, se sa e thellë ishte skamja materiale e shpirtërore e socializmit, e dëshmoi eksodi masiv në vitin 1991, pamjet tronditëse të të cilit i kemi parë në filmat dokumentarë.
Një ditë Osmani po gjuante për peshk në breg të detit, pranë portit, por nuk i kishte ecur. Kalon një shok i tij andej e i thotë: “Paske kapur vetëm ca peshq të vegjël, Osman!”. Dhe Osmani përgjigjet: “Ç’të bësh, peshqit e mëdhenj janë në mbledhje”.
Sikur të ngrinte krejt Adriatiku
Një shok, në bisedë e sipër, i thotë Osmanit:”Çfarë do të bëje ti, sikur të ngrinte krejt Adriatiku?”. Dhe Osmani ia kthen: “Ashtu, me çorape leshi, do të vrapoja të hipja në ndonjë pemë, që të mos më shtypnin njerëzit dhe do të prisja deri sa të rralloheshin turmat”.
Tërmeti
“Në mëngjes herët, kur ra tërmet, dolëm me shpejtësi në rrugën e Dakolëve, ku e kishim shtëpinë dhe takova Osmanin”, – vazhdon të më tregojë Besniku. I thashë: “Sikur të binte një tërmet shumë më i fortë dhe Bolonja të vinte këtu, ndërsa Durrësi të zinte vendin e Bolonjës, a do të të pëlqente?”. M’u përgjigj: ”Qenke budalla! Ta gjejnë socializmin gati pepinot dashke ti!”
Flota amerikane
Kishte ardhë flota amerikane në Adriatik. Besniku i thotë: “Janë afrue amerikanët, na rrezikojnë!” E Osmani përgjigjet: “Kanë ardhë këndej që të lahen, se i kanë frikë peshkaqenët”. Dhe në vesh i pëshpërit: “Këta tanët nji të shtyme duen, po s’ka kush me ia dhanë”.
Dil privat më mirë, shoqja sekretare e komitetit të partisë
Në mëngjes, në orën 6.55, sekretarja e Komitetit të Partisë të Rrethit, Eleni Mandi, po nxitonte për në punë që të kapte orën 7.00 dhe ishte djersitur e skuqur, se ishte edhe e shëndoshë. Osmani e sheh e i thotë: ”Çfarë ke, mi shoqja Leni, të kam thanë, dil privat më mirë”!
Te kryetari i degës së brendshme
Barsoletat e tij ishin një çlirim nga prangat shpirtërore të sistemit të bunkerizuar, të dështuar e të vetasfiksuar. Por njerëz si ai që e “brenin” çdo ditë sistemin, me forcën e fjalës dhe humorit të mprehtë, edhe rrezikonin. Sigurimi ishte organi më i dhunshëm e kriminal, me spiunë të panumërt e kudo të pranishëm. Osmanin e ka mbrojtur vetëm popullariteti i padiskutueshëm në Durrës, statusi i veçantë qytetar i tij, pasi humorin e tij e pëlqenin të gjithë.
Një ditë Osmanit i vjen një ftesë për t’u paraqitur me datë 21 te kryetari i degës së brendshme Kopi Niko. Ishte data 19. Dy ditë ankthi, shqetësimi, pagjumësie. Kur shkoi atje, dezhurni e la të priste gjatë duke ia shtuar shqetësimin. Më në fund një oficer e shoqëroi deri në katin III, në zyrën e kryetarit, që i tha të ulet e menjëherë iu sul: “Po ti pse llap poshtë e përpjetë se, po ngriu Adriatiku, do të shkosh me çorape leshi? Apo Roma Roma?” Dhe Osmani dyllë i verdhë thotë: “Shaka, kryetar, shaka, boj me qeshë shokët, argëtohem edhe vetë”. Duke dalë nga dera, shton: “Unë them Moma, ata e kthejnë Roma”. Dhe K. Niko e kërcënon: “Përsëriti ato shaka dhe të fus në burg, more vesh?”
“S’na u da “spiunllëku” dhe në shtëpi”
Shqipja, bashkëshortja e Osmanit, shkon me vrap në dyqanin e tij, pasi ka marrë vesh që i shoqi ka ble dy bajza. Ajo: “Ku i ke bajzat, Osmono?”. Ai: “Po kush të tregoi mi grue?…S’na u da spiunlliku!”
Zogu i pulës dhe Mbreti Zog
Një ditë tjetër, mjaft e shqetësuar tashmë, duke turfulluar rrugës, Shqipja shkon tek Osmani e i thotë: “Na iku zogu, Osmono”! Dhe ai ia pret: “Çfarë thue mi? Zogu ka ikë në 1939!” “Jo, mër, jo, mos u tall me mue, se kisha mendue me e bo për drekë zogun e pulës, atë që bleve dje”!
“Nuk më thonë shpesh “zotni”, or shok!”
Osmani ishte i sjellshëm. E vlerësonte etikën qytetare apo “borgjeze” dhe vetëm komunistëve u drejtohej me fjalën “shoku”, që nënkuptonte shokun e luftës e të idealeve komuniste.
Një zonjë ndalet te pragu i floktores së tij dhe i drejtohet Osmanit që kishte briskun në dorë dhe një klient të ulur që po rruhej: “Zoti Osman, ku ndodhet dyqani i këpucëve më i afërt?” Pa u përgjigjur, Osmani del menjëherë dhe e shoqëron zonjën deri në dyqan. Kur kthehet, klienti ankohet: “Po si më le mue kështu, me shkumë sapuni në mjekër, more Osman?” Dhe Osmani qetësisht përgjigjet: “Nuk më thonë shpesh “zotni”, prandaj e meritonte ta përcillja”.
Këpucët dhe lidhëset
Varfëria nuk e cenoi dinjitetin dhe fisnikërinë e tij si qytetar i nderuar, prandaj edhe shoqata “Durrësi”, në bashkëpunim me Bashkinë, i akordoi titullin “Nderi i qytetit” (pas vdekjes) për kontributin e vyer në mbrojtjen e vlerave qytetare dhe për mesazhet e fuqishme e të guximshme të humorit të tij të veçantë e me nota të qarta disidence antikomuniste.
Osmani kishte veshur një palë këpucë të vjetra, të shtrembëruara që i dilnin nga këmba. Raq Manushi e pyeti një ditë: ”Çfarë numri i ke këpucët, Osman?”
– 44
“Po numrin e kambës?
– 42
“Po pse i vesh?”
– Po këto më kanë falë.
Të nesërmen Raqi, për të mos e ofenduar, i çon një palë këpucë të reja me R. Deliallisin. Kur vjen Raqi dhe e pyet sesi i rrinë këpucët, Osmani i thotë: ”Më morët në qafë, m’i prutë pa lidhëse. Lekët e lidhëseve i piva një gotë raki”.
“S’ka më b…viçi”? Ka dhe viç pa b…!”
Një mik i Osmanit, shumë kavalier, e qeraste herë pas here me raki, ngaqë punonte me mjete të rënda jashtë orarit, fitonte diçka mbi rrogën. Për një kohë të gjatë ai u zhduk, derisa një ditë e sheh Osmani duke kaluar në trotuarin tjetër e nuk kthen kokën, prandaj i flet: “Po ku je, mor burrë?” E Zeneli përgjigjet: “S’ka më b…viçi”. Osmani ia kthen: “Ka dhe viç pa b…” Kështu me ironi qorton mikun e tij që e donte dhe e vlerësonte, po që tani s’i vinte, se s’kishte lekë”
“Ime shoqe, radio “Kavaja””
Katër-pesë vitet e fundit, ngaqë nuk po i ecte me dyqanin, shkoi te drejtori Nexhat Xhoi me i kërkue punë. Nexhati kujtoi se po tallet, por Osmani, shumë serioz, i tha: “Jam në hall të madh. Ime shoqe, radio “Kavaja”, u ka thënë fëmijëve: “Do ta ndaj Osmanin, se po na le pa bukë”. Më shpëto familjen, Nexhat!”. Dhe Nexhati i gjeti një punë si magazinier.
Shiu dhe arkivoli i babait me ujë
Edhe në situatat më të vështira ekonomike, edhe në sëmundje, madje edhe kur i vdiq i ati, Osmani përpiqej t’i lehtësonte problemet dhe gjendjen e rëndë e nuk binte në pesimizëm. Si njeri me karakter, ai bënte humor e ironi edhe me të metat e gabimet e veta apo të së shoqes.
Kur po varrosej i ati, binte një shi i fortë dhe gropa ku do të futej arkivoli po mbushej me ujë. Në çastet kur të gjithë ishin të heshtur e të hidhëruar, Osmani, duke menduar ta çtensionojë situatën, tha: ”Ah, mër babë, të kam thanë mësoje notin e s’më ndigjove! Mbytu tashti”!
“O grue, si do të më qash, kur të vdes?”
Kur ishte shumë sëmurë nga mushkëritë, thërret Shqipen e i thotë: “O grue, si do të më qash, kur të vdes?” Dhe Shqipja: “A, të hangërt mortja, ku të shkon mendja!”. Osmani insiston dhe Shqipja nis të aktrojë: “Qyqja unë, Osmono, ku më le! Po ti s’ishe aq plak, o burrë! Po ty kalamajt të deshën fort! Edhe shokët i braktise!”… Osmani e ndërpret: “Po ty, të raftë pika, nuk të ra ndërmend me thanë: Ku po shkon, që s’kthehesh ma, o burrë?”.
Osman Rexha mbetet emër i nderuar përgjithnjë.
Shënim: Fotot që po botohen janë të paretushuara, ndonëse të dëmtuara nga koha.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





