DURRËS, 19 qershor 2015 –  Edhe në dy tenderët për stacionin e ri hekurudhor të udhëtarëve në Kashar, që u përurua me shumë bujë më 26 maj 2015, tri firma ndërtuese kanë përfituar padrejtësisht gjithsej 14, 4 milionë lekë (mbi 104 mijë euro).

Mësohet se një auditim ka zbuluar shkelje në zbatimin e kontratave në tenderin e zhvilluar për riaktivizimin e stacionit të Kasharit, faza III. Prokurimi është zhvilluar nga Drejtoria e përgjithshme ekzekutive e shoqërisë aksionare publike “Hekurudha Shqiptare” sha me seli në Durrës. Doli se pati përfitim të padrejtë nga dy firmat fituese të tenderit, përfitim që arrin në 7 391 400 lekë gjithsej. Bëhet fjalë për vendosjen e një ndërrueseje të vjetër (të përdorur) në vlerën 5 400 000 lekë, në kundërshtim me projektin e zbatimit dhe në specifikimet teknike, si dhe për punime të pakryera në katër zëra në vlerën 1 991 400 lekë.

Po ashtu në tenderin për riaktivizimin e stacionit të Kasharit, faza e dytë, u konstatua përfitim i padrejtë në vlerën 6 997 656 lekë nga firma fituese për punime të pakryera në dy zëra: furnizim me ndërruese 1:9R 300 (lidhje provizore), pa vendosje, në vlerën 6 158 400 lekë dhe ndërtim drenazhi me mbushje me zhavorr prodhuar me makineri në vlerën 839 256 lekë.

 

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/