REPORTAZH NGA SHEFQET KËRCELLI
NJU-JORK, 17 gusht 2015 – Çdo vizitë në SHBA i jep mbresa dhe emocione të veçanta kujtdo që e viziton tokën e premtuar. Për ne shqiptarët ka shumë arsye që të mrekullohemi nga kontakti me tokën dhe bukuritë e këtij supershteti, sepse për vite me radhë kemi ëndërruar ta shohim, pse jo, dhe të jetojmë këtu. Por dhe për faktin se çfarë ka bërë Amerika për në si popull. Ka qenë një dëshirë e kahershme e shqiptarëve kjo, për t’iu bashkuar emigrantëve të tjerë nga Evropa, por kryesisht nga Greqia e Italia, me të cilët na bashkon fqinjësia. Në këtë kontekst, vlen të theksojmë se me këta dy popuj, kemi dhe histori të tjera veç konflikteve e luftërave mes njëri-tjetrit, pasi hallet dhe problemet e përbashkëta kanë bërë që shqiptarët të marrin rrugën së bashku me grekë dhe italianë, duke qëndruar në bodrumin e një anije, një avullore apo trageti, duke pasur kështu të njëjtin fat. Ashtu si fqinjët e tyre, kushtet e jetës, pushtimet e herëpashershme, dëshira për të ndërtuar një jetë të re, ka bërë që shqiptarët të emigrojnë herë pas here në shekuj e vende të ndryshme, në shumicën e rasteve pa e ditur se çfarë i priste. Patjetër ka histori të shumta se si grekë, shqiptarë e italianë, kanë provuar së bashku peripeci të shumta deri sa kanë mbërritur drejt yllit të shpresës, Statujës së Lirisë. Tendencat e studiuesve e historianëve të tre vendeve për t’i parë gjerët bardhë e zi, e kanë zbehur trajtimin e kësaj teme. Duhet të shohim përtej “Lëndinës së lotëve”, sepse emigrantët shqiptarë sapo kalonin këtë lëndinë do takonin bashkudhëtarët e tyre, grekë ose italianë. Ashtu si fqinjët e tyre dhe gjeografia e emigrimit të shqiptarëve përfshin thuajse gjithë globin në periudhën e mijëvjeçarit të dytë.
EMIGRIMI I FILLIMSHEKULLIT XX
Në këtë histori të përcjellë nga qindra botime e dokumente spikat emigrimi i fillimshekullit të kaluar drejt shtetit më të ri e të fuqishëm në botë, SHBA. Ky emigrim ka karakteristikat, specifikat dhe vlerat e tij të veçanta, të cilat meritojnë të studiohen me kujdes nga historianët dhe analistët tanë. Në këtë emigrim u përfshinë të gjithë trevat shqiptare, ku pjesa jugore për arsye të ndryshme zinte shumicën. Në këtë mes dhe mjaft banorë të zonës së Devollit, që nga Dardha e deri në rrjedhjen e poshtme të lumit Devoll, u bënë pionierë të kësaj lëvizjeje në drejtim kontinentit amerikan, por dhe Australisë. Afërsia me rrugët që të çonin drejt portit të Selanikut ua ka lehtësuar lëvizjen drejt këtyre drejtimeve të reja të emigracionit. Kështu nga shekulli i kaluar e deri sot, në SHBA kanë emigruar disa gjenerata devollinjsh, me grafik herë në ngritje e herë në ulje, ku spikasin ato rreth viteve 1910, 1920, periudha e mbretit Zog, 1940-1946, dhe mbas vitit 1990. Ëndrra e rizgjuar e Amerikës pas viteve ’90, përfshiu mjaft banorë të kësaj treve, që, me mënyra e mjete të ndryshme, rigjetën lidhjet e vjetra, por krijuan e lidhje të reja. Mundësia e afruar nga shteti amerikan nëpërmjet grin-kard-it (Green Card), krijoi lehtësi në lëvizjen e brezit të katërt të emigrantëve në shekullit XX. Kështu qindra devollinj u bënë pjesë e këtij procesi, që solli si rezultat krijimin e komuniteteve të reja në të gjithë shtetet e SHBA, ku bashkësia e Nju Jork-ut është më e madhe.
QYTET I MAGJISHËM
Sigurisht, të vizitosh SHBA, pa parë metropolin Nju-Jork Siti (New York City, NYC) dhe simbolin e tij kryesor, Statujën e Lirisë, krijon një boshllëk në vetvete, një brengë që shoqëron secilin kur kthehet në vendin e nisjes. Natyrisht, jo se kjo është Mesia, por koordinatat e Statujës së Lirisë janë pikë referimi për këtë fjalë të madhe, me emrin LIRI, të cilën po përpiqemi ta kuptojmë dhe ne shqiptarët. Këto mendime më shoqëronin gjatë udhëtimit tim me autobus nga Pitsburg-u në NYC, bashkë me të dhe ato për devollinjtë e mi. Fushat dhe pyjet e pafund në dy anët e autostradës, qendrat industriale, parkingjet, fermat e sistemuara dhe të begata, patjetër të shtonin dëshirën për punën, të cilën devollinjtë e kanë në gjak, por do frymëzonin çdo poet që sapo ka nisur rrugën e krijimtarisë për të ngjyer penën e tij në atë gjelbërim pa fund. I madhi Dritëro, ndoshta, do të na kishte dhuruar një nga poezitë e tij më të bukura për këto vende. Por ai nuk e pati mundësinë të vizitonte SHBA, si mijëra devollinj, dhe tani sëmundja dhe mosha po bëjnë të vetën. Pasi shijova këto bukuri të natyrës, të kombinuara aq harmonishëm me dorën e njeriut, sapo hymë në periferinë e NYC, ndjeva erën e këtij qyteti të magjishëm, që josh miliona vizitorë anë e kënd globit. Nga dritarja e autobusit pashë portin gjigant, molet e tij të mbushura me anije të tonazheve të ndryshme. Kam parë dhe porte në vende të tjera. Por këtu koha, transporti, lëvizja, janë një “3D” kompakte, thashë me vete, e pakrahasueshme me asnjë vend tjetër. Trakët (truck -kamion) e mëdhenj tipikë amerikanë, që nuk reshtnin në autostrada, tregonin qartë se gjithë Amerika është në lëvizje, shprehje e lulëzimit të saj ekonomik.
SIKUR ISHA NË DURRËS OSE TIRANË
Por lëvizjet në metropolin amerikan, NYC, ishin më mbresëlënëset, pasi në portën hyrëse të qytetit, jeta ecën më shpejt se mendja e njeriut. Ishte fat që stacioni i fundit i autobusit ishte afër Tajm Skuejër (Time Square). Më priste miku dhe kolegu im i vjetër Bashkim Gjiza, bashkë me vajzën Elonën. Bashkimi ka rreth 15 vjet që ka emigruar në Amerikë. Ka punuar shumë si familje për të ndërtuar jetën këtu. “Fillimisht kam punuar dhe 16 orë në ditë, – thotë ai. – Vajza ishte në shkollë, kështu që ne me gruan bëmë punë të vështira”. Elona, vajza e tij e vogël, njihet në Durrës, pasi që në shkollën 8-vjeçare ka botuar dy vëllime me poezi, me një stil dhe kompozim të veçantë, të mirëpritur nga moshatarët e saj. Por në NYC, ajo studioi në City University of NY për jurisprudencë dhe menaxhim, kështu që pa dashur iu largua letërsisë. Mbase një eksperience disavjecare, Elona tashmë punon asistente e CEO, tek American International Group (AIG). Ndërsa miku im i vjetër Bashkimi, pas vite vështirësish, punon administrator i një qendre tregtare. E prita atë deri afër mesnatës sa la punën. U gëzova që kishte një punë më të lehtë për moshën. Ndërkohë tek shëtisja para godinës së kësaj qendre tregtare disa metra larg Time Square, gjithandej shihja fytyra të njohura. Më dukej vetja sikur isha në Durrës ose Tiranë.
MBI 25 FAMILJE VETËM NGA NJË FSHAT, MIRASI
Kështu është më sqaron miku im, ka shumë shqiptarë NYC, natyrisht dhe shumë devollinj, të cilët kanë ardhur në SHBA, mbas ’90. Mjaft prej tyre kanë tërhequr njëri-tjetrin. Ndërsa po më shpjegonte për këtë fenomen duke udhëtuar me trenin e orës 24.30 drejt Bruklin-it (Brooklin), shihje plot shqiptarë që ktheheshin nga puna në këtë orë të vonë. Vetëm në vagonin tonë mund të ishin nja 13 vetë, të cilët Bashkimi i njihte të gjithë. Mbas një gjumi të thellë, në mëngjes, iu drejtuam kafes së devollinjve në Bruklin. Pavarësisht se ishte në pronësi të Enverit, me origjinë shkodran, ajo frekuentohej nga devollinjtë dhe gëzon po këtë emër. Devollinjtë mblidheshin këtu jo vetëm për fundjavë, por dhe ditë të tjera pushimi, ose kur s’kishin punë. Ishte befasi për mua takimi me zotin Dervish Xhaho, mik i familjes sonë nga Mirasi. Dervishi, bashkë me gruan Tatjanën, janë modeli i një familjeje me traditë devolliu. Ata kanë pritur dhe përcjellë qindra nëpunës dhe intelektualë nga gjithë vendi, të cilët kanë punuar e shërbyer në Miras, ndaj janë të nderuar dhe respektuar kudo. Por familja e tij është e nderuar dhe respektuar dhe këtu në Amerikë. Ai gëzon autoritet dhe respekt jo vetëm nga banorët e Mirasit, por nga gjithë komuniteti shqiptaro-amerikan atje. Janë mbi 25 familje nga Mirasi, shumica kushërinj e të afërm të Dervishit. Në klubin e tyre shihje një ambient të mirëfilltë shqiptar. Tavolina të bashkuara, kafe dhe raki, biseda të çiltra, herë me zë të lartë. Çmalleshin, qanin hallet kur kishin mundësi, ndihmonin njëri-tjetrin, duke rekomanduar ndonjë punë mbi bazën e njohjes.
KOMUNITETET E TJERA I NDIHMOJNË SHTETET E ORIGJINËS
Emigracioni nuk është i lehtë, thotë Nesheti, ose Kristoja, si i thonë me shaka miqtë e tij. Dy vitet e para janë të vështira për cilindo. Pa kaluar nga lopata e çekiçi, nuk mund ta ndërtosh jetën këtu. Mjaft prej nesh si Fatmiri, Vladimiri, Agimi, Iliri, Ariani, Shpëtimi, e kanë provuar emigracionin edhe në Itali e Greqi. Pra, në njëfarë mënyre janë të parapërgatitur për sfidat, por, gjithsesi pavarësisht se ambienti këtu është miqësor, integrimi ka vështirësitë e veta. Duhet zanat, duhet gjuha, një lloj vetëkualifikimi, se Amerika ka të tjera standarde. Shqiptarët duhet t’i përballojnë vështirësitë e fillimit vetë, me miq e shoqëri, pa asnjë lloj ndihme nga shteti. Ndryshe ndodh me komunitetet e tjera, hebrenj, grekë, kinezë, rusë, ku shteti i ndihmon në akomodimin e tyre sapo shkelin tokën amerikane, p.sh. që para se të vijnë e kanë gati punën dhe strehimin. Kjo lehtëson problemet social-ekonomike të çdo emigranti, që janë të pashmangshme në fillim. Pra, ka shtete që kanë emigracion të organizuar, pavarësisht asaj çka të afron shteti amerikan. Dikush i ka tejkaluar këto vështirësi e probleme sociale, dikush tjetër vazhdon përballjen me to. Dihet që Amerika është vendi i shanseve e mundësive të mëdha, por këto shqiptarët i arrijnë me mundim e sakrifica individuale. Shumica e miqve që takova punonin në ndërtim. Me këtë zanat ata përmbushnin nevojat e tyre për jetesë, shkollim, strehim, etj. Jetonin në shtëpi me qira, por disa kishin arritur t’i blinin dhe falë zanatit t’i rikonstruktonin mrekullisht, me kopshte e bahçe.
ARSIMIMI
Ndërkohë kujdesi i tyre për arsimimin e fëmijëve ishte në maksimum. Bënin gjithçka. Gëzoheshe pa masë kur tregonin për nivelin e arsimimit të fëmijëve. Robert Metolli, një ish-ushtarak ka arritur të mbarojë universitetin dhe të bëhet pjesë e sistemit arsimor në komunitet. Ai flet me respekt për përkushtimin e nxënësve shqiptarë në realizimin e programit. Njëkohësisht ata me sa munden kujdesen që fëmijët, nipërit e mbesat të mësojnë gjuhën shqipe, por dhe traditat e tyre, sidomos vallen devolliçe. Me zor pres ndonjë dasmë devolliu, thotë Nesheti. Vërtet e kam valëvitur flamurin shqiptar më lart se të tjerët në parakalimin e shqiptarëve, por vallja devolliçe më jep kënaqësi të veçantë, e lezeton dasmën. Në kafen e tyre, diku në qendër të Bruklinit, respektohet mosha, dëgjohet fjala nga më të rinjtë, por shërbehet me plot mirësjellje. Bisedohet për lidhjet me Shqipërinë, me njerëzit atje, fati i pronave të tyre, mundësitë e investimit, risku, si mund të përmirësohen gjërat, zbatimi i ligjit, niveli i demokracisë, etj. Këtu i kanë mundësitë të gjithë, veçanërisht ata që dështojnë e nuk respektohen në vendin e tyre, ec e mere vesh këtë, thotë Luani. E si mund të dëgjohemi ne në Shqipëri, kur nuk kemi mundësi të votojmë, ndërhyn Iliri.
“DO ZOTI KALOJNË PA INCIDENTE ZGJEDHJET VENDORE NË SHQIPËRI”
Pavarësisht se përpiqeshin t’i shmangeshin politikës, prapë biseda nuk i shmangej kësaj teme. Do zoti kalojnë pa incidente këto zgjedhjet vendore, të bëhen të lira, si këtu në Amerikë, që dhe ne të krenohemi se po ndryshojmë diçka, thotë Gëzimi. Më bëri përshtypje një lajm, Mediu bën fushatë në Lekas! ia kthen Beni. Ec, e mere vesh këtë! Atje dhjetë vetë kanë ngelur, të dhjetë na qenkan republikanë!? Me sa duket s’e afron qytetaria korçare dhe i vjen anës e pas anës. Dhe PD-ja ka zgjedhur ca djemka të mirë bre, por, siç e katandisën opozitën Saliu e Mediu, vështirë do ta keni, thotë dikush nga tavolina tjetër. Të paktën të mos dalin në fushatë me kandidatët e rinj ish-ministra të korruptuar, se i prishin punë. Ndonjë lek, nga ato që kanë bërë me trastë, le t’i japin, se po harxhohen këta që presin të ulen në karrige. U bë mirë që dëgjuan ambasadorin Donald Lu, që hoqën nga lista të inkriminuarit… Biseda po bëhej tërkuzë. Ndaj për një moment Nesheti me humorin e tij të hollë i ve kapak kësaj teme duke u shprehur: “E ç’ lodheni kot, politikanëve tanë nuk dihet se ku i presin thonjtë”!? Shprehje më të goditur nuk gjen. Filozofia jonë popullore është e prerë dhe e qartë.
ATDHEU I DYTË
Këtyre njerëzve të thjeshtë, u ka hije fjala, kafja dhe rakia. Ndjehen të lirshëm, të respektuar në ambientin ku punojnë e jetojnë. Secili përpiqet t’i zgjidhë hallet e punët e veta, pa zhurmë e bujë, por ndihmojnë dhe njëri-tjetrin për çdo rast. Është një komunitet që rritet çdo ditë, integrohet me shoqërinë e jetën këtu në Amerikë, në sajë të punës, djersës e zbatimit të ligjit, larg syrit e veshit të medies, zhurmës e bujës. E gëzojnë thellë në qenien e tyre jetesën e shanset që të jep Amerika. Të paktën nga ata dhjetëra devollinj që takova, nuk dëgjova për njërin që të kishte problem me ligjin. Ky fakt më gëzoi më shumë se gjithçka. Ata e konsideronin Amerikën atdheun e dytë, dhe ishin të gatshëm të bënin çdo gjë që kërkonte ligji amerikan. Disa djem nga ky komunitet i ishin bashkuar radhëve të ushtrisë amerikane, dikush shërbente dhe në polici. Diskutonin për punën dhe shëndetin. Është fat i madh për mua tregon Dervishi, që gruaja ime ka një vit e gjysmë kurohet këtu në Amerikë. Nuk di si t’ia shpërblej personelit të “Rehabilition and Nursing Center”, në Kuins (Queens), Nassau, që gjithë këtë kohë me humanizëm, përkushtim e profesionalizëm i shërbejnë bashkëshortes sime që po kalon një sëmundje të rëndë. Një njeri i panjohur, vjen këtu në Amerikë gjen strehë, mikpritje, ndjenja miqësore pa ndonjë interes. Nuk e shpjegoj dot, thotë Dervishi. Një humanizëm, një kulturë, një ngrohtësi që më ka befasuar. Më përqafojnë infermieret si bijat e mija. Mos u mërzit, më thonë, do e kalojmë së bashku. Kam një vit e gjysmë që e kaloj kohën më të madhe në këtë spital, por atë humanizëm, atë sjellje nuk di si ta shpreh? Këtë edukatë personeli i qendrës e ka marrë që fëmijë, s’ka se si. Pjesë e këtij shërbimi tepër njerëzor është dhe infermierja Fitore Xhelili nga Pogradeci. Kështu u bë puna jonë, derdhëm kontribute shëndetësore në Shqipëri, kur na vjen halli gjejmë ngrohtësi e mbështetje financiare në SHBA, thekson Dervish Xhaho.
SIKUR DURRËSI TË KISHTE GJYSMËN E PARKUT
Kjo është Amerika për shqiptarët, atdhe e kaluar atdheut! Në grumbullimet e tyre nuk shihje shenja lokalizmi, pasi pjesë e shoqërisë së tyre kishte dhe dibranë, skraparllinj, mallakastriotë, beratas, etj. Bashkë me ta ishte Agim Blloshmi nga Librazhdi, Gëzim Manelli nga Pogradeci, topograf Miradash Myrtezaj nga Dibra, Përparim Likollari, ish-ushtarak nga Berati, Ymer e Arbër Bermuça nga Romanati, Dania nga Durrësi, etj. të cilët ishin pjesë e çdo gëzimi e feste të përbashkët. Bruklini ka shumë shqiptarë, ne themi se do ta bëjmë gjuhë të dytë shqipen këtu, më thotë me shaka Myrtezai. Këtë e pashë dhe në parkun e qytetit, ku qindra qytetarë të moshave të ndryshme argëtoheshin me lojëra të shumëllojshme. “Eh, sikur të kishte Durrësi gjysmën e këtij parku, do të ishte mrekulli”,- më thotë Bashkimi. E kishin pikë takimi të dytë parkun, pas klubit të Enverit e Salvatores (një italo-amerikan ky, mik i shqiptarëve). Ndaj, natyrisht dhe këtu kishte dhjetëra shqiptarë. Dilte Bashkimi me mbesat, Fatmiri me nipin, Arbër Hoxha, i cili do bëhet oficer marine, e plot të tjerë. E gjenin njeri-tjetrin shpejt nga gjuha fëmijët. E flisnin të gjithë në shtëpi, pavarësisht kopshtit e shkollës ku mësonin anglisht. Në skajin jugor të parkut, dëgjova një shprehje: “ma lësho dopjo gjashtën!”. Nuk desha t’ua prishja terezinë e lojës, se gjysmat e tyre i njihja për fytyrë. Pensionistët shqiptarë të Bruklinit loznin domino këtu, kishin zënë dy tavolina dhe përbri tyre argëtoheshin disa kinezë të moshuar me lojërat e tyre tradicionale. Me sa pashë parkun e sundonin shqiptarët dhe kinezët. Kështu devollinjtë çdo ditë, javë e muaj, integrohen me mënyrën e jetën këtu në Amerikë.
POPULL ME VLERA TË VEÇANTA
Nuk ka gjë të përsosur, por ata bëjnë përpjekje për të jetuar e punuar me djersë e zbatim ligji, nën shembullin e emigrantëve të parë që shkelën tokën e premtuar një shekull më parë. Në këtë mënyrë ata kanë fituar dhe respektin e qytetarëve amerikanë në punë ose komshinj. Jeni një popull me vlera të veçanta, më thotë komshiu amerikan i Bashkimit, zoti Hater Fisher, madje i vetmi amerikan në pallat, se të tjerët janë emigrantë të ndryshëm. Në, mbase, nuk i njohim vlerat tona, por kur këto t’i thonë qytetarë amerikanë, na vjen mirë. Faleminderit! – i thashë. Këtë më tha dhe një komshi i të afërmve të mi në Konektikat, Majkëll Manka, madje ai po më shpjegonte dhe origjinën e tij të hershme shqiptaro-devollite. Qysh para katër brezash jam shqiptar, thotë me një farë mburrje. Ndërkohë komuniteti devolli po bën përpjekje të krijojë një shoqatë solide, që të përfaqësojë me dinjitet traditën, vlerat dhe arritjet e këtij komuniteti mbi shekullor këtu në SHBA. Në drejtimin e kësaj shoqate po zgjidhen djem të rinj, me personalitet e aftësi menaxhuese, për të bërë më të mirën në kushtet aktuale, më shpjegon Neim Zenelaku nga Ponçara. Sigurisht, që kjo punë të realizohet, duhet të lemë dhe ndonjë ves të së kaluarës, apo të jetës në Devoll, të mos mbartim këtu në Amerikë smirën, xhelozinë, thashethemet, të cilat nuk na lenë të ecim para. Gjithashtu objektiv i shoqatës është dhe integrimi me shoqatat e tjera mbarëshqiptare në SHBA. Në pak ditë mora dhjetëra mesazhe nga devollinjtë e Bruklinit, por ai kryesori ishte, jeto duke punuar e zbato ligjin! Këta janë dy miqtë e tu më të mirë!? Kështu integrohesh e bëhesh qytetar amerikan! Ishte një reportazh i vonuar ky për këta njerëz që me shembullin e tyre në punë e në jetë, nderojnë veten, por dhe komunitetin shqiptaro-amerikan. U ndava me premtimin se do vazhdoj të shkruaj për devollinjtë tanë shqiptaro-amerikanë sa herë të vij këtu në SHBA.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





