17 qershor 2015 – Mozaikët janë monumentet arkeologjike që njihen më pak në Durrës. Ato që janë zbuluar kanë pësuar dëmtime të rënda, ndërsa mjaft të tjerë vazhdojnë të jenë të mbuluar në pritje të kohëve më të mira.
Qyteti më i vjetër i bregut lindor të Adriatikut ofron për vizitorët amfiteatrin antik, mure dhe fortesa mesjetare me forma të ndryshme, termat (banjat) romake dhe forumin rrethor, që të gjithë monumente madhështore, të cilët për hir të së vërtetës kanë filluar ta ndjejnë veten ngushtë përballë ndërtimeve shumëkateshë të viteve të fundit.
Pamjet e tyre tërheqëse shihen mjaft rrallë në ndonjë prej suvenireve apo skenografive të spektakleve. Por ndërsa numri i turistëve të huaj që kërkojnë të vizitojnë rrënojat qindravjeçare rritet vazhdimisht, fati i mozaikëve ka qenë i ndryshëm.
Një shekull me zbulime
Gjatë shekullit të kaluar në Durrës janë zbuluar mjaft mozaikë, me moshë të ndryshme, por edhe më cilësi, subjekte dhe vendndodhje të veçanta, që pasqyrojnë zhvillimin ekonomik dhe kulturor të qytetit. 
“Bukuroshja e Durrësit”, mozaiku me kalë deti, ai i rozetës apo mozaiku i Bazilikës së Arapajt janë vetëm disa nga veprat më të shquara, që i japin një dimension mjaft të rëndësishëm antikitetit dhe mesjetës në qytetin bregdetar. Zbulimi dhe rimbyllja për paaftësi teknike, betonimi “i heshtur” në themelet e pallateve apo transferimi i tyre nga një qytet në tjetrin duket se përbën një paralele me jetën e Durrësit, qytetit të tronditur dhjetra herë nga tërmetet dhe luftërat shkatërruese. Vetë mozaikët janë në të njejtën kohë dëshmi e gjenisë krijuese të artistëve anonimë, të cilët kanë lënë pas vlera të papërsëritshme.
Zbulimi i parë në këtë fushë i përket vitit 1916, kur një grup ushtarakësh austriakë, mes të cilëve edhe arkeologu Camillo Prashnicher zbuluan gjatë hapjes së një transheje 150 metra larg qendrës së sotme një shtresë mozaiku, e cila u quajt një “kryevepër figurative e artit”. Por mozaiku i mrekullueshëm me emrin “Bukuroshja e Durrësit” është bërë i njohur në të gjithë botën shkencore vetëm në vitin 1959. Këmbëngulja e arkeologut të shquar Vangjel Toçi risolli në dritë 56 vjet më parë një nga veprat më të shquara të lashtësisë. Prof. Toçi ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga arkeologët austriakë në fillimin e shekullit të 20-të, lidhur me praninë e mozaikut në një nga lagjet qendrore të Durrësit.
Mozaiku i shekullit të 4-3 para erës sonë ka formë eliptike me diametrin e madh 5.1 metra dhe ze një sipërfaqe afro 9 metra katrorë. Në qendër është figura e një gruaje të re dhe të bukur mes një peizashi plot kërcej lulesh, gonxhesh dhe petalesh. Mozaiku është mbiquajtur  "Bukuroshja e Durrësit", një emër metaforik në nderim të grave të qytetit të lashtë, por edhe të mjeshtrave që e krijuan atë. Ky mozaik 23 shekuj më parë ka zbukuruar një banjë luksoze private të qytetit antik. 

Nën dhe apo mbi dhe?!

Gjatë 60 viteve të fundit në Durrës janë zbuluar edhe mozaikë të tjerë me përmasa të ndryshme. Në kapelën mesjetare të ndërtuar pranë njërës nga galeritë e Amfiteatrit antik të Durrësit ndodhet i vetmi mozaik mural që është zbuluar në vendin tonë. Në vitin 1968 gjatë ekspeditave për zbulimin e monumentit më të madh të vendit tonë arkeologët ndeshën tre faqet murale me figurat e shënjtorëve. Megjithëse ende nuk ka një qëndrim të përcaktuar të specialistëve mbi datimin dhe subjektin e mozaikut në të shihen qartë portretet e Shën Sofisë dhe Irinit si dhe Zeusit. Por më qartë se gjithçka shihen njollat e lagështirës.
Mozaikët e Durrësit janë tregues i mirëqënies ekonomike të një shtrese qytetare, e cila i ka lejuar vehtes të jetojë mirë, pavarsisht nga kohët që kalonte bota pranë tij. Qyteti vazhdon të ndërtohet edhe sot në të njejtin vend ku është ngritur dhe ringritur për shekuj me radhë dhe shpesh herë themelet e godinave të reja janë bërë dëshmitare të së kaluarës. 
16 vjet më parë vetëm 300 metra në veri të ish-merkatos punëtorët e një firme ndërtuese zbuluan rrënojat e një ndërtese të shek. I pas Krishtit dhe një mozaik me një sipërfaqe 9 metër katrorë. Një mozaik me përmasa 3 metër me 3 metër, ku dallohet si të ishte ndërtuar sot një lule 12 petalëshe brenda një rrethi të kuq. 
Zbulimi nuk i çuditi arkeologët. Zona njihej si lagje patricësh aristokratë, njëlloj me territorin ku u zbulua “Bukuroshja 2300-vjeçare”.
Që në vitin 1947  vetëm 50 metra larg rozetës shumëngjyrëshe ishte zbuluar mozaiku i hipokampit, i njohur si mozaiku me kalë deti. Deri në vitin 1989 mozaiku që ndodhet në thellësinë 4 metra është hapur edhe dy herë të tjera, por mungesa e teknikave për ta spostuar drejt muzeut të ri arkeologjik i detyruan arkeologët që ta mbyllinin përsëri atë.
E ndërsa pallati 8-katësh mbi rozetën u ndërtua me marrëveshjen që monumenti të ishte i vizitueshëm, mozaiku me kalë deti vazhdon të qëndrojë nën tokë.
“Ndoshta më mirë-shprehen arkeologët, të cilët shtojnë se fatmirësisht figura e madhe bardhë e zi qëndron nën kryqëzimin e rrugës, pra aty ku nuk do të ndërtohet. Madje është shumë më i sigurtë nën tokë, ku agjentët atmosferikë nuk mund ta shkatërrojnë siç ka ndodhur me muralen e kishëzës së amfiteatrit”. Po njëlloj qëndron në bodrumin e një banese në lagjen nr 9 një tjetër mozaik, të cilin kanë preferuar të mos e nxjerrin nga vendndodhja.
Zbuluesi i Bazilikës së Arapajt, Sali Hidri ka preferuar të njejtën gjë për mozaikun e mrekullueshëm, që zbukuron dyshemenë në një nga sallat e monumentit mesjetar. Mozaiku qëndron i mbuluar prej kohësh me një shtresë cellofoni ku rëndon rëra e lagur prej shirave. Figurat njerëzore, ato të kafshëve si dhe lulet shumëngjyrëshe të mozaikut janë zënë si në çark dhe mbeten me shpresën e rikthimit përballë shikuesve. Ashtu siç meritojnë të gjithë mozaikët e Durrësit të lashtë.

 

 

 

Agjencia e lajmeve "Dyrrah"