DURRËS, 16 qershor 2015 – 70 vjet më parë, për Uashingtonin regjimi shqiptar i sapodalë nga lufta, e meritonte njohjen dhe se ishte e rrezikshme të mbahej pezull ky akt, pasi kishte të ngjarë që qeveria të binte plotësisht në prehrin e ndonjë kombinacioni sovjetik-jugosllav. Kurse rivendikimet greke ndaj kufirit jugor, për të cilat këmbëngulte Londra, mund të merreshin në shqyrtim më vonë, thuhet në një procesverbal të 4 tetorit 1945, që dërgonte nga Londra shefi i misionit civil amerikan në Tiranë. Kabllogrami përmbante thelbin e bisedimeve amerikane-angleze për çështjen shqiptare. Agjencia e lajmeve “Dyrrah” po boton dy dokumente të datave 4 dhe 6 tetor 1945 teksa në kryeqytetin britanik zhvillonte punimet Këshilli i Ministrave të Punëve të Jashtme. Po ashtu në dokumentet zbulohet fakti se anglezëve nuk u kishte pëlqyer fakti se Franca kishte vendosur t’i njihte pa asnjë kushtëzim autoritetet që kontrollonin vendin e vogël.
Dokumenti 1 / Uashingtoni: Rreziku sovjeto-jugosllav
Memo e bisedës, nga përfaqësuesi në Shqipëri (Jacobs) [1]
[Londër,] më 4 tetor 1945.
Të pranishëm: Z. Hayter, shef i Departamentit Jugor [2]
Z. Laskey, zyrtar i sektorit të Shqipërisë dhe Greqisë [2]
Z. Jacobs, përfaqësues i SHBA në Shqipëri
Z. Cannon [3]
Z. Kenon (Cannon) dhe unë morëm në telefon këtë pasdite zotin Hejter (Hayter) lidhur me sugjerimin e tij për të vazhduar diskutimet për çështjen e njohjes së Shqipërisë. Ne thamë se raporti im mbi gjendjen në Shqipëri iu paraqit Departamentit të Shtetit, që po shqyrtonte tani çështjen e njohjes së afërmi, nisur nga premtimet që dhanë autoritetet shqiptare për të zhvilluar zgjedhje të lira në përputhje me dispozitat e Deklaratës së Krime-së për Evropën e Çliruar. Dhamë arsyet tona pse mendonim që një akt i tillë do ishte i dëshirueshëm dhe se duhej vepruar në mënyrë operative, në thelb, për shkak se Shqipëria ishte vendi i vetëm në Ballkan ku marrëdhëniet tona me autoritetet nuk udhëhiqeshin nga ndonjë bazë e rregulluar nga ana ligjore dhe se ato autoritete kishin nën kontroll të plotë vendin dhe e meritonin njohjen me kusht që të respektoheshin parimet e Deklaratës së Krime-së. Shtova se mendoja që është e rrezikshme të mbahej pezull një propozim për njohje duke e shtyrë vazhdimisht, pasi ka të ngjarë që regjimi të binte plotësisht në prehrin e ndonjë kombinacioni sovjetik-jugosllav, dhe përveç kësaj ka një kërkesë në rritje për të diskutuar probleme të caktuara me autoritetet shqiptare, për shembull, Traktati me Italinë, i cili nuk mund të diskutohet aktualisht për shkak se nuk është njohur ende regjimi i tanishëm që ka nën kontroll Shqipërinë. Natyrisht do të ngrihet gjithashtu çështja e rivendikimeve territoriale greke.
Z. Hejter tha që ai mendonte se duhej vazhduar më tej me problemin e njohjes së autoriteteve shqiptare aktuale. Megjithatë, ai tha se kishte ndërmend të pyeste nëse ishte i përshtatshëm momenti i tanishëm, duke pasur parasysh mënyrën me të cilën ndërpreu punimet Konferenca e Ministrave të Punëve Jashtëm. [4] Z. Kenon dhe unë u përgjigjëm se mendonim që mund të shmangej rreziku, nisur nga qasja jonë e tanishme ndaj qeverive britanike dhe sovjetike për faktin se Departamenti i Shtetit kishte marrë dhe shqyrtuar raportin tim mbi kushtet në Shqipëri.
Pasi z. Kenon i tregoi zotit Hejter thelbin e një projekt-telegrami që mund t’i dërgohej Departamentit të Shtetit, z. Hejter komentoi se nuk e konsideronte të këshillueshme t’u kërkohej autoriteteve shqiptare të bënin premtime se do të zhvillonin zgjedhje të lira kur nga ana jonë nuk ishim përgatitur plotësisht për të parë se do të bëheshin zgjedhje të lira dhe pastaj të tërhiqnim njohjen nëse ato nuk do të zhvilloheshin në nivel të pranueshëm. Ai vazhdoi duke thënë se, sipas mendimit të tij, në qoftë se nuk synojmë t’i mbikëqyrim këto zgjedhje, dhe ai mendonte se nuk do t’i mbikëqyrnim, do të ishte më mirë që të akordohej njohja pa kërkuar zotime me karakter kaq të detajuar.
Nisur nga njoftimet e paraqitura nga përfaqësuesi britanik në Shqipëri, gjeneral-brigade Hoxhson (Hodgson), si dhe nga qëndrimi i mëparshëm i Forin Ofisit (Foreign Office – Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar), për të vonuar njohjen, kjo deklaratë e z. Hejter ishte e befasishme. Meqenëse projekt-telegrami ynë ishte përgatitur duke pasur parasysh qëndrimin e njohur të mëparshëm të britanikëve, thamë se mund ta hiqnim fare një specifikim të detajuar të zotimeve po të detajuara, megjithëse mendonim ende se e kemi për detyrë t’u referohemi parimeve të Deklaratës së Krime-së në notën drejtuar autoriteteve shqiptare.
Z. Laski (Laskey) vuri në dukje pastaj se, duke pasur parasysh rivendikimet greke për Epirin e Veriut, Forin Ofisi mund të shprehte dëshirën të kushtëzohej njohja, me rezervën që Britania e Madhe nuk i njeh kufijtë aktualë të Shqipërisë si kufij përfundimtarë. U përgjigjëm se druhemi që mund të ketë kundërshtime qeveria sovjetike, dhe përveç kësaj nuk mendojmë se duhet bërë ky kushtëzim, pasi nuk kemi besuar se rifillimi i thjeshtë i marrëdhënieve diplomatike do të thotë automatikisht njohje e kufijve të tanishëm të Shqipërisë. Gjithsesi, dihet nga të gjithë pozicioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me rivendikimet për ndryshime territoriale që rrjedhin nga lufta, domethënë, që rivendikimet për ndryshime në kufijtë ekzistues para vitit 1939 duhet të bëhen pjesë e rregullimit të përgjithshëm evropian. Ne shtuam se në këtë rast rivendikimet greke mund të merreshin në shqyrtim më vonë nga Këshilli i Ministrave të Punëve të Jashtme sikurse parashihej në Konferencën e Potsdamit apo ndoshta nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Z. Laski nuk nguli këmbë në këtë pikë, por me sa dukej e dinte mirë se Forin Ofisi mund të donte t’u referohej rivendikimeve greke në qoftë se për asnjë arsye tjetër nuk i kushtohej vëmendje pozicionit grek. Megjithatë, nuk përjashtuam mundësinë e përfshirjes së një rezerve për kufirin e Shqipërisë.
Për sa i përket mekanizmit për vënien në lëvizje të kësaj çështjeje, patëm mendimin se Departamenti i Shtetit, që ka marrë raportin tim, tani mund të porosisë ambasadat amerikane në Londër dhe Moskë t’u drejtojnë nota të tjera Ministrive të Punëve të Jashtme britanike dhe sovjetike, referuar notave mëparshme, duke njoftuar propozimin e tij për njohjen e regjimit aktual që kontrollon Shqipërinë.
Gjatë diskutimit të procedurës z. Hejter përmendi se këtë problem e kishte shtjelluar kohët e fundit me një nëpunës të ambasadës franceze këtu [në Londër] dhe mësoi se francezët ishin përgatitur të njihnin regjimin aktual në Shqipëri pa kurrfarë rezervimesh. Pastaj diskutuam çështjen nëse duhej ftuar Franca për të bashkërenduar aktin e saj me atë të Britanisë së Madhe, Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por të gjithë ishin të mendimit, duke marrë parasysh urgjencën për të trajtuar sa më shpejt problemin e njohjes dhe kundërshtimin e Bashkimit Sovjetik ndaj pjesëmarrjes së Francës në problemet e Ballkanit sikurse u dëshmua në Konferencën e kaluar, se do të ishte më mirë të mos shtrohej çështja e pjesëmarrjes së Francës kur të diskutohej çështja në Moskë. Kemi qenë të mendimit se në qoftë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik vendosin të njohin regjimin aktual, mund të informojmë francezët për aktin që propozojmë të ndërmarrim dhe t’i lëmë të ndjekin shembullin nëse dëshirojnë kështu. Z. Hejter tha se ai do të përpiqet të bindë ambasadën franceze të shtyjë aktin derisa të bëhemi gati.
XH. XHEJKOBS (J. E. JACOBS)
Shënime të origjinalit anglisht:
[1] Z. Xhejkobs ishte në Londër nga data 30 shtator deri në 24 tetor 1945.
[2] Zyrtarë të Forin Ofisit britanik.
[3] Kavendish Kenon (Cavendish Ë. Cannon), sekretar i parë dhe konsull në Lisbonë (Portugali), por në këtë kohë këshilltar politik pranë delegacionit amerikan në sesionin e Londrës të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme.
[4] Punimet e Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme në Londër përfunduan në qorrsokak për shkak të procedurave.
Dokumenti 2 /Zgjedhje të lira dhe respektim i pakteve para 1939
Telegram i të ngarkuarit me punë në Mbretërinë e Bashkuar (Gallman) drejtuar Sekretarit të Shtetit
Londër, më 6 tetor 1945, ora 18:00
[Marrë në Uashington: ora 16:50]
Nr. 10434 prot… Nga Dan-i [1]. Pas studimit së bashku me Xhejkobsin të situatës në Shqipëri rekomandoj të vazhdojmë sa më shpejt të jetë e mundur me njohjen e regjimit të tanishëm që ka nën kontroll Shqipërinë. Kemi pasur këtu [në Londër] biseda zyrtare me nëpunës të Forin Ofisit, që lënë përshtypjen se nuk janë kundër një marrëveshjeje të përgjithshme.
Ndërkohë ashtu si kemi bashkërenduar në të kaluarën aksionet tona lidhur me Shqipërinë me të dy qeveritë, britanike dhe sovjetike, sugjeroj si hap tjetër që ambasadat në Londër dhe Moskë të porositen të informojnë qeveritë britanike dhe sovjetike (referuar notave të tyre të mëparshme për këtë lëndë) se Departamenti i Shtetit, që ka marrë në konsideratë raportin e përgatitur nga Xhejkobsi, pasi studioi në vend konditat në Shqipëri për një periudhe prej më se tre muajsh, propozon që të tri qeveritë të bien dakord për të vënë në dijeni njëkohësisht autoritetet shqiptare nëpërmjet përfaqësive të tyre në Shqipëri për gatishmërinë e tyre për të vendosur marrëdhënie diplomatike me to me cilësinë e një qeverie të përkohshme me kusht që qeveria shqiptare të angazhohet në zhvillimin e zgjedhjeve në kohën e duhur në përputhje me parimet e përcaktuara në Deklaratën e Krime-së mbi Evropën e Çliruar.
Nota e përfaqësisë amerikane në Tiranë mund të përmbajë gjithashtu kërkesën për garancitë, në pritje të negocimit të traktateve dhe marrëveshjeve, që zyrtarëve përkatës diplomatikë dhe konsullorë amerikanë në Shqipëri do t’u akordohen lehtësitë për të drejtat, privilegjet dhe imunitetet e zakonshme sipas së drejtës ndërkombëtare përfshirë të drejtën e ndërmjetësimit me autoritetet qendrore dhe vendore në emër të shtetasve amerikanë dhe për pronat e tyre, duke konfirmuar vlefshmërinë në vazhdimësi të traktateve dhe marrëveshjeve midis SHBA dhe Shqipërisë që janë në fuqi deri më 7 prill 1939, data e pushtimit italian të Shqipërisë.
Në diskutimin e kësaj çështjeje zyrtarë të Forin Ofisit, që kishin parasysh rivendikime greke, ndonëse dhe jo të prirë për t’i mbështetur ato shtruan problemin se mbase njohja do të interpretohej si konfirmim i kufijve ekzistues. Prandaj Departamenti i Shtetit mund të shprehë dëshirën të përfshijë në notën e SHBA-së një pasazh ku të thuhet se politika e qeverisë amerikane ka qenë për t’i lënë problemet territoriale dhe të tjera me karakter ndërkombëtar në kuadrin e një rregullimi të përgjithshëm pas vendosjes së paqes. [2]
Xhejkobsi ka përgatitur draftin paraprak të një note që do të paraqitet nga Misioni ynë në Tiranë, teksti i të cilit po telegrafohet më vete. [Dan.]
Gollmen (Gallman)
Shënime të origjinalit anglisht
[1] Xhejms Dan (James C. Dunn), Ndihmës-sekretar Shteti për Çështjet Evropiane, Lindjes së Largët, Lindjes së Mesme dhe Afrikës, në këtë kohë zëvendësues i përfaqësuesit amerikan në Këshillin e Ministrave të Punëve të Jashtme në Londër.
[2] Telegrami nr. 9110 prot… datë 13 tetor, ora 18:00, drejtuar Londrës, për Dan-in, këshillonte që udhëzimet telegrafike sipas linjave të sugjeruara nga Dan-i, t’u dërgoheshin ambasadave [amerikane] në Londër dhe Moskë; … shtohej se “Departamenti i Shtetit mendonte se gjithsesi është më mirë të specifikohen parime dhe procedura të caktuara që do të rregullonin zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri se sa të lihet kjo çështje mbi një bazë më pak të përcaktuar sipas Deklaratës së Krime-së mbi Evropën e Çliruar”.
Sqarim: Përkthimi dhe titujt e dy dokumenteve janë të autorit të speciales.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





