FAKTE MBRESËLËNËSE / 60 VJET TË MARTUAR, NJË JETË E GJATË DHE E BUKUR BASHKËSHORTORE QË FRYMËZON
· 1953-1983, inxhinieri ka projektuar dhe zbatuar dhjetëra vepra industriale, social-kulturore dhe pallate e shtëpi banimi në të katër anët e Shqipërisë
· Më 9 Maj 1995, në Londër, Namiku hapi parakalimin e Forcave Aleate
· Me rastin e 90-vjetorit të lindjes i çon letër Kryeministri i Kanadasë: Është një privilegj i veçantë për mua të përshëndes një qytetar si ju që ka demonstruar dinjitet dhe ndershmëri gjatë gjithë jetës
· Vetëm 19 vjeç kur filloi të japë mësimin e pianos, Eli punoi në Liceun Artistik “J. Misja”, krah për krah me pedagogët e shquar si Abdurrahim Buza, Odhise Paskali, Nexhmedin Zajmi, Kristina Koljaka, Lola Gjoka, Tonin Guraziu, Valeria Drenova etj. Me qindra studentë përgatiti, mes tyre edhe Nora Çashku, Adriana Dizdari, Nadiezhda Porodini, Anila Toka, Milena Shkurti, etj.
· Në fillim të viteve ‘90, me këmbënguljen e Elit, të dy morën rrugën e gjatë për në Bukuresht, ku Namiku, në fillim të viteve ‘50, ndërsa kryente studimet e larta, kishte pasur një të dashur, kështu qau pianistja shqiptare fatin e hidhur të rumunes
NGA DR. KUJTIM KABASHI*
Janë gjithmonë bashkë dhe aktivë në çdo ditë të jetës se tyre edhe këtu në atdheun e ri, Kanadanë e largët. Nuk i ndjek kush me kamera apo blloqe nëpër duar për t’u marrë një autograf apo bërë një selfie. Dhe, megjithatë, meritojnë shumë e shumë më tepër. Sepse i kanë kryer më së miri “detyrat” e tyre jetësore. Kush i ka njohur dhe i njeh nga afër, është ndier me fat që Zoti u dhuroi këtë mundësi.
Duke shkruar për Eli dhe Namik Kacidhen kam për qellim t’u bëj homazh qindra dhe mijëra nenave e baballarëve të përkushtuar shqiptare, që jetojnë pranë fëmijëve të tyre, tashmë të rritur, në vendet e largëta, ku ata kanë emigruar për një jetë më të mirë të familjeve që kanë krijuar ndër vite. Por edhe fëmijëve e nipërve të tyre që u falin dashuri të merituar përditë. Kush janë Eli Sahatçiu / Kacidhja dhe Namik Kacidhja, që u martuan në Tiranë para gati 60 vjetësh, në vitin e largët 1957?
LONDËR, 9 MAJ 1995, TË HAPËSH PARAKALIMIN E FORCAVE ALEATE
Që i ri, Namiku u lidh me lëvizjen për çlirimin e vendit nga fashistët italianë. I lindur në Korçë, në rininë e hershme, për arsye ekonomike, u vendos në Durrës, bashkë me familjen. Ashtu si edhe vëllai më i rritur, Selaudini, punonin pa orar, kudo ku nevojitej një krah pune, në port, familjet e tregtarëve, sipërmarrjet e para italiane etj. Gjatë kësaj kohe u njohën me plot të rinj e të reja të qytetit bregdetar që në ilegalitet kishin nisur organizimin e lëvizjes guerile për kundërshtimin e pushtimit. Në këtë mjedis ranë në kontakt me idetë përparimtare të kohës. Ashtu si edhe lidhen miqësi me djemtë e vajzat e shquar të Durrësit të atyre viteve, si Kristaq Boshnjaku, Kol Laku, Iliaz Reka, Kostandin Kazanxhi, Drita Malile, Skënder Çela, Mark Toçi, Miltiadh Kulja, Sulë Gallai, etj. Më vonë dolën në mal partizanë dhe luftuan deri në largimin e okupatorit gjerman. Në luftë humbi të vëllanë, dëshmorin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare Selaudin Kacidhja. Në vitin 1948 Namiku shkon në Bukuresht për të ndjekur studimet universitare, në degën e inxhinierisë së ndërtimit. Nga viti 1953 deri më 1983, kur doli në pension, inxhinier Namiku ka projektuar dhe zbatuar dhjetëra vepra industriale, social-kulturore dhe pallate e shtëpi banimi në të katër anët e Shqipërisë. Por fati kishte ruajtur edhe një moment të bukur dhe plotësisht të merituar jetësor për xhaxhi Namikun, siç e thërrasin jo vetëm mbesat dhe nipërit e tij. Më 9 Maj 1995, në Londër, me rastin e festimeve të 50-vjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Namik Kacidhja, Sekretar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it në atë kohë, do të hapte parakalimin e Forcave Aleate, duke valëvitur lart flamurin tonë kombëtar. Të gjitha këto ia mbushin plot zemrën Namikut, tani, që jeton në paqe moshën e tretë. Namiku ruan në kornizë letrën përshëndetëse, që i dërgoi gati dy vite më parë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes, vetë Kryeministri i Kanadasë, z. Stephen Harper. Është një privilegj i veçantë për mua, shkruante ai, që të përshëndes një qytetar si ju që ka demonstruar dinjitet dhe ndershmëri gjatë gjithë jetës.
19 VJEÇE NIS E JEP MËSIME PIANOJE
Eli Sahatçiu u lind dhe u rrit në Tiranë në një familje të njohur qytetare. E ushqyer me idetë liridashëse dhe emancipuese të kohës, që e vogël, mori pjesë në grupet edukative të fëmijëve debatikas që kundërshtonin në forma të ndryshme pushtimin fashist të vendit. Pikërisht në këtë kohë shfaqet pasioni, përherë i pashuar, i Elit për muzikën dhe leximet. Hygo-i (Victor Hugo, 1802-1885), Zola-i (Émile Zola, 1840-1902, Naim Frashëri (1846-1900), Migjeni (Millosh Gjergj Nikolla, 1911-1938), Mozart-i (Wolfgang Amadeus Mozart, 1756-1791), Shopen-i (Frédéric Chopin, 1810-1849), Bethoven-i (Ludwig van Beethoven, 1770-1827), Verdi (Giuseppe Verdi, 1813-1901), Puçini (Giacomo Puccini, 1858-1924), etj. ndriçonin mendjen dhe mbushnin plot ndjenja të bukura shpirtin e vajzës se re tiranase. Në fillim të viteve ‘50, me përfundimin e studimeve për piano, Eli u bë një nga përfaqësueset e shquara të figurës së gruas së emancipuar shqiptare. Ishte vetëm 19 vjeç kur filloi të japë mësimin e pianos. Që nga ajo kohë dhe deri në vitin 1986 Eli punoi si pedagoge e pianos në Liceun Artistik “J. Misja”, krah për krah me plejadën e ndritur të pedagogëve të shquar të artit shqiptar si Abdurrahim Buza (1905–1987), Odhise Paskali (1903-1985), Nexhmedin Zajmi (1916-1991), Kristina Koljaka (1916-2005), Lola Gjoka (1910-1985), Tonin Guraziu (1908-1999), Valeria Drenova (1914-2004), etj. Janë me dhjetëra dhe qindra studentët që u përgatitën për rrugëtime të gjata dhe të suksesshme artistike në pianon e klasës së Zysh Elit, falë përkushtimit dhe performancës së saj të shkëlqyer edukative dhe profesionale, si Nora Çashku, Adriana Dizdari, Nadiezhda Porodini, Anila Toka, Milena Shkurti, etj.
RUTINË DITORE, GJITHMONË TË NGARKUAR
Prej më shumë se 12 vitesh Namiku dhe Eli, banojnë në Toronto, të rrethuar nga kujdesi dhe dashuria e pafund e vajzës dhe djalit, Meritës dhe Ardit, që kanë emigruar në Kanada në fund të shekullit të kaluar; bashkëshortëve të tyre, Dr. Arben Haritos dhe Karolinës, nipit Artit dhe mbesave, Inës dhe Lorenës. Jetën e tyre e ka zbukuruar edhe më shumë ardhja në jetë, para një viti, e stërnipit të dashur, Thomas-it të vogël.
Në shtëpinë e re, dhuratë e fëmijëve të tyre, Eli dhe Namiku kanë një rutinë ditore gjithmonë të ngarkuar. Ndërsa ai merret me sistemimin e shënimeve me kujtimet e jetës, si edhe korrespondencën me miqtë e të afërmit, ajo që në mëngjes herët kujdeset për kopshtin e vogël plot me lule shumëngjyrëshe që, me bukurinë e tij, tërheq vëmendjen e fqinjëve dhe kalimtarëve të rastit. Pak më vonë Eli bëhet njësh me pianon, miken e saj të pandarë. Për rreth dy orë çdo ditë. Pastaj i vjen radha leximit të librave që sapo kanë arritur nga Tirana ose nga miqtë e shumtë shqiptarë, me të cilët shkëmben letërsi artistike. Dhe përsëri ushtrimi në piano, por këtë radhë me preludet dhe fugat e vështira të J. S. Bahut (Johann Sebastian Bach,1685-1750). Është këtu arsyeja që në koncertin e artistëve shqiptarë me banim në Toronto, të organizuar nga regjisori i mirënjohur Gjergj Rita, krahas instrumentistëve virtuozë Jani Papadhimitri, artist i merituar; Cin Simoni; Hasan Gjevori; Granit Kamberi etj. u duartrokit gjatë edhe interpretimi plot ndjenjë i mjeshtres së shkollës shqiptare të pianos, Eli Kacidhja.
PAS 40 VITESH ME GRUAN TE SHTËPIA E ISH-TË DASHURËS RUMUNE
Edhe një ndodhi, që flet shumë, nga jeta e çiftit Kacidhja. Në fillim të viteve ‘90, me këmbënguljen e Elit, të dy morën rrugën e gjatë për në Bukuresht. Atje ku Namiku, në fillim të viteve ‘50, ndërsa kryente studimet e larta, kishte pasur një të dashur, Xhorxhetën. Ndërsa Namiku, i ngarkuar me emocionet e rastit, trokiste edhe njëherë në atë derë shtëpie, ku kishte hyrë e dalë shumë herë, 40 vite më parë, Eli e qetë, me atë ndjenjën e rrallë njerëzore të dhimbjes e respektit për të kaluarën e shokut të saj të jetës, priste jashtë, në parkun përballë banesës. Kur, pas pak, Namiku i bëri shenjë që të afrohej për të hyrë edhe ajo në atë shtëpi, Eli u përball me një grua që jetonte pleqërinë e saj të thellë. Ishte nëna e Xhorxhetës. Vetë Xhorxheta kishte ndërruar jetë disa vite më parë, pas një sëmundjeje të rëndë. Duke përqafuar zonjën e moshuar, Eli nuk mundi t’i mbante lotët e dhimbjes kur shihte dorën e të shoqit të shtrënguar fort në mes dy duarve të rrudhosura të zonjës plakë. Fytyra e të moshuarës rumune, e ndriçuar nga një gaz i brendshëm, fliste vetë. Siç edhe u shpreh, ajo e kujtonte sikur të kishin kaluar vetëm pak ditë “djaloshin çapkën dhe të pashëm shqiptar që i vizitonte dendur vite më parë”.
MË SHUMË SE THJESHT “ZYSH ELI”
Mirësia që ka karakterizuar të gjithë jetën dhe marrëdhëniet e Namikut dhe Elit në familje e shoqëri, i ka bërë ata të dashur dhe të respektuar, jo vetëm nga të afërmit e tyre. Festat e ditëlindjeve të tyre, vitet e fundit, janë kthyer në grumbullime shoqërore të paharruara për të gjithë. Në to, më së shumti, është evidentuar fakti që për njerëz si Eli dhe Namiku nuk numërohen vitet, por të mirat dhe gëzimet, që u kanë dhuruar të afërmve, ashtu si edhe qindra e mijëra nxënësve dhe kolegëve të tyre. Ja se çfarë i shkruante Zysh Elit, në 80-vjetorin e lindjes, një nga ish-nxënëset e saj, pianistja e mirënjohur Adriana Dizdari: “Për shumë vite ke qenë zysha ime e dashur dhe ne kështu të thërrisnim “zysh Eli” dhe në këtë “zysh Eli” për mua përmblidhej mësimi i pianos, guximi për të ëndërruar, që mbillje çdo orë mësimi, këmbëngulja për t’i realizuar ëndrrat… Por kjo është pak për të thënë. E dashur Zysha ime, të kujtohet si më mësoje se si të flisja, se si të vishesha, se si të sillesha? Po nuk më mësoje vetëm mua. Kujdesi yt ishte për të gjithë nxënësit e tu. E mbaj mend mirë, sikur të ishte dje.”
“ËMBËLSIRAT” ME… HARAPI, MOZART, SHOPEN!
Para pak ditësh, një grup miqsh të familjes ishim të ftuar nga Eli dhe Namiku në shtëpinë e tyre. Pas drekës, Eli na “qerasi” me lojën e saj në piano. “Ëmbëlsirat”, që kishte përgatitur, ishin dy miniatura të Tonin Harapit (1925–1991), “Marshi Turk” i Mozart-it, “Nocturn në mi-minor” dhe “Fantasia-Improviso” nga Shopen-i, “Murmurimat Pranverore” të Sinding-ut (Christian Sinding,1856-1941), etj. Ne dëgjonim ato melodi, që të mbushin zemrën plot sa herë që i dëgjon, dhe shihnim Namikun, që ndiqte me buzë në gaz lojën e gishtave të Elit të tij të dashur. Gjithë kohës, thosha me vete, se muzika që po luhej i shkonte më së miri “filmit” të jetës së tyre. Një jetë e mbushur përplot me dashuri e mirësi për njëri-tjetrin, gjithë të afërmit dhe njerëzit, me të cilët i lidhi jeta.
EPILOG / “LOVE STORY”-N PËR TË SHOQIN
…. Dhe, si për t’i vënë kapak floriri asaj që po mendoja për “filmin” e jetës së tyre, ndërsa ne u ngritëm për të përshëndetur Elin, Namiku ngre zërin dhe flet. Eli, të lutem, luaj “Love Story”-n për mua. Dhe zysh Eli ulet edhe një herë të luajë, për Namikun e saj, të famshmen këngë të Endi Uilliams-it (Andy Williams, 1927-2012).
* Mësues i Merituar
INFO / BOTIME TË NAMIK KACIDHES
Piketimi i harqeve rrethore me anën e koordinatave polare, Tiranë 1956
Në Londër, mes bashkëluftëtarëve / Shënime udhëtimi 1995, gazeta “Kushtrim brezash”, nr. 20, 17 maj, 1995, f. 1,3
Dy fjalë për mjekun Thoma Harito, gazeta “Kushtrim brezash”, nr. 14, 9 prill, 1999, f. 7
Llambi Ziçishti, kirurgu i pushkatuar pse foli për Mehmet Shehun, gazeta “Korrieri”, nr. 245, 6 tetor, 2005, f. 19.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”





