·       Kostoja e lartë e shpronësimit të objekteve dhe truallit, si dhe “petullat me ujë” të Berishës për gjoja ndërtimin e rrugës Thumanë-Rrogozhinë, investim që mund të lehtësonte trafikun në lagjet 13 dhe 14 të Durrësit

DURRËS, 10 qershor 2015 –  Dalin sekrete për investimet në infrastrukturën rrugore në Durrës. Burime zyrtare kanë pohuar për agjencinë e lajmeve “Dyrrah” se për segmentin Shkozet-Plepa ishte parashikuar që, krahas 4 korsive (dy vajtje dhe dy ardhje), të ndërtoheshin edhe dy rrugët anësore të shërbimit. Por ish-Ministria e Punëve Publike dhe Transportit (sot Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës), Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Fondi Kuvajtian vendosën të mos realizoheshin. Arsyeja e anulimit të rrugëve paralele është minimizimi i kostos së lartë të shpronësimit të objekteve dhe truallit. Ndikim në këtë vendim kanë pasur “petullat me ujë” të qeverisë Berisha, që kishte parashikuar ndërtimin e rrugës Thumanë-Rrogozhinë. Ky investim mund të lehtësonte trafikun në segmentin Shkozet-Plepa. Në të vërtet Thumanë-Rrogozhina mbeti vetëm në letër.

Punimet e kontratës së ndërtimit të bajpasit Durrës kanë filluar më 15 qershor 2009 dhe afati për përfundimin e tyre ishte 5 prilli 2011. U miratua shtesa e afatit të përfundimit të punimeve përkatësisht me 1 840 ditë, duke parashikuar përfundimin e tyre me datë 30 mars 2015. Arsyeja e shtyrjes ka të bëjë kryesisht me pamundësinë e Autoritetit Rrugor Shqiptar për të siguruar boshtin në të gjitha segmentet rrugore për zbatimin e punimeve nga kontraktuesi. Po ashtu gjatë zbatimit të kontratave të mbikalimit të Vorës dhe të bajpasit të Durrësit janë miratuar ndryshime të shumta, të cilat kanë ardhur edhe si pasojë e realizimit pa cilësi të projekteve të zbatimit.

 

 

/red. ekon. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/