·       Banka Evropiane e Investimeve dikton rregulla të forta për luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit

·       Zgjidhje për problematikat e hasura gjatë zbatimit të projektit, objektivi kryesor është realizimi i fazës së dytë të këtij projekti “Rehabilitimi i kalatës 7&8 në Portin e Durrësit”

·       Afati i përfundimit të punimeve ka qenë data 31 maj 2012 dhe afati i periudhës së garancisë ka përfunduar në korrik 2013. Pas përfundimit të periudhës së garancisë ka pasur mosmarrëveshje mes supervizorit dhe kontraktuesit të punimeve në lidhje me faturën finale.

·       Si pasojë e kësaj mosmarrëveshjeje janë zhvilluar dy borde të gjykimit të mosmarrëveshjeve dhe me shumë mundësi kjo do të përfundojë në Arbitrazh Ndërkombëtar. Arsyeja e shtesës së komponentit të fazës së parë është kapërcimi i shumës së akorduar më parë. Nga pikëpamja e punimeve të kryera, me certifikimin e deritanishëm, vlera e këtij komponenti e tejkalon vlerën e tij të përcaktuar në marrëveshje, e cila, së bashku me shifrën që diskutohet për faturën finale, mund të jetë rreth 2 milionë euro më shumë nga skema financiare e kontratës

NGA THANAS MUSTAQI

DURRËS, 7 qershor 2015 – Del sërish në sipërfaqe terminali i trageteve, pas përplasjeve mes kontraktuesit dhe supervizorit dhe se si po aktualizohet 9 vjet pas nënshkrimit të huas 40 milionë euro problemet e korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Kuvendi i Shqipërisë bën të ditur se është përgatitur projektligji “Për ratifikimin e dokumentit të ndryshimit nr. 2 të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për terminalin e trageteve të Portit të Durrësit”. Pas diskutimit në komisione dhe seancë plenare pritet miratimi. Kjo gjë kërkon urgjencë, pasi 31 dhjetori 2015 nuk është larg për të përfituar disbursimin.

SHTYRJE E AFATIT TË DISBURSIMIT TË FONDEVE

Sipas relacionit të përgatitur nga Këshilli i Ministrave, Dokumentit i ndryshimit nr. 2 të kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve për terminalin e trageteve të Portit të Durrësit është miratuar në parim me vendimin nr. 317, datë 15.4.2015, të Këshillit të Ministrave dhe është nënshkruar më 29 prill 2015. Ky dokument ndryshon kontratën financiare të lidhur ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve, të nënshkruar më 27 dhjetor 2006, ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr. 9691, datë 8.3.2007, për financimin e projektit të terminalit të trageteve të Portit të Durrësit. Objektivi i projektit është sigurimi i efektivitetit, sigurisë operacionale, rritja e pozicionit të tij strategjik e konkurrues, rritja e cilësisë së shërbimit për bizneset e qytetarët, me impakt në gjithë ekonominë e vendit. Dokumenti nr. 2 i ndryshimit të kësaj kontrate konsiston në shtyrjen e afatit të disbursimit të fondeve të akorduara nëpërmjet kësaj kontrate, si dhe rishpërndarjen e fondeve brenda kategorive të financimit, pa ndryshuar shumën totale dhe pa cenuar disa rregullime të neneve të kësaj kontrate. Ky akt ndërmerret si zgjidhje për problematikat e hasura gjatë zbatimit të projektit dhe objektivi kryesor është realizimi i fazës së dytë të këtij projekti “Rehabilitimi i kalatës 7&8 në Portin e Durrësit”.

MOSMARRËVESHJE MES SUPERVIZORIT DHE KONTRAKTUESIT TË PUNIMEVE

Faza e parë e projektit (komponenti “Ndërtimi i një terminali tragetesh për  pasagjerët dhe rehabilitimi i infrastrukturës shoqëruese, sigurimi i elementeve të sigurisë në anijet e transportit midis dy brigjeve” ka filluar në vitin 2007 me procedurat e prokurimit dhe është finalizuar me kontratën e punimeve të lidhur mes SCT d.d dhe MPPTT (sot MTI) më 6 maj 2008 dhe rinovimin e kësaj kontrate me Vega, sh.p.k, dhe MPPT (sot MTI) në qershor 2011. Afati i përfundimit të punimeve ka qenë data 31 maj 2012 dhe afati i periudhës së garancisë ka përfunduar në korrik 2013. Pas përfundimit të periudhës së garancisë ka pasur mosmarrëveshje mes supervizorit dhe kontraktuesit të punimeve në lidhje me faturën finale. Si pasojë e kësaj mosmarrëveshjeje janë zhvilluar dy borde të gjykimit të mosmarrëveshjeve dhe me shumë mundësi kjo do të përfundojë në Arbitrazh Ndërkombëtar. Arsyeja e shtesës së komponentit të fazës së parë është kapërcimi i shumës së akorduar më parë. Nga pikëpamja e punimeve të kryera, me certifikimin e deritanishëm, vlera e këtij komponenti e tejkalon vlerën e tij të përcaktuar në marrëveshje, e cila, së bashku me shifrën që diskutohet për faturën finale, mund të jetë rreth 2 milionë euro më shumë nga skema financiare e kontratës. Kjo vlerë më e madhe e certifikuar e këtij komponenti nuk vjen nga ndryshime në projekt, por nga kushtet mbi të cilat është mbështetur kontrata, FIDIC 1999, të cilat e kanë parashikuar si një “Admeasurement Contract”.

FONDET PËR THELLIMIN E BASENIT DHE KANALIT HYRËS TË PORTIT

Faza e dytë e projektit “Rehabilitimi i kalatave 7&8 në Portin e Durrësit”, aktualisht është në fazën e përgatitjes së dokumentacionit të tenderit. Pritet caktimi i konsulentit që do të merret me përgatitjen e dokumentacionit. Është bërë një survejim nënujor për të parë gjendjen aktuale të këtyre kalatave. Nga ky survejim rezultoi që nuk është e nevojshme një ndërhyrje radikale në këto kalata, si parashikohet në projektin aktual të rehabilitimit, por duhet një ndërhyrje në riparimin e defekteve të konstatuara. Një situatë e tillë sjell ulje të kostove nga ato të parashikuara më herët. Fondet e mbetura mund të kanalizohen në investime të tjera në portin e Durrësit, si për shembull thellimi i basenit dhe kanalit hyrës të portit. Kredia e akorduar nga Banka Evropiane e Investimeve, nëpërmjet marrëveshjes bazë ka vlerën 18 milionë euro, ndërsa kostoja totale e projektit së bashku me kredinë e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, fondet e Komisionit të BE-së dhe kontributin e qeverisë shqiptare është 40 milionë euro. Nëpërmjet këtij akti bëhet rregullimi i zërave, pa prekur shumën totale. Projekti është pjesë e parashikimeve buxhetore të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës për periudhën 2015-2017, konkretisht në programin “Transporti detar”.

Info / Letra që shtrëngon rripat

Dominique Courbin, shefi i divizionit të sektorit publik për Slloveninë, Kroacinë dhe Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e operacioneve dhe Massimo Novo, shefi i divizionit të Evropës Jug-Lindore në Drejtorinë Ligjore, në një letër drejtuar Ministërit të Financave Shkëlqim Cani dhe Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës kanë njoftuar për ndryshime në nenet e kontratës financiare të lidhur nga dhe ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane të Investimeve më 27 dhjetor 2006 në Tiranë, lidhur me Amendimin Nr. 2 të saj. Pas 9 vjetësh, Banka Evropiane e Investimeve vë theksin në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit. “Dyrrah-u po boton një fragment të zgjeruar të letrës. Kjo dhe për faktin se sikur është shkruar më parë në “Dyrrah” (http://www.durreslajm.com/speciale/klsh-terminali-i-trageteve-projekti-150-mij%C3%AB-euro-mbi-kosto), Kontrolli i Lartë i Shtetit, në vitin 2013, ka zbuluar shkelje pas përfundimit të auditimit mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare të projektit “Ndërtimi i terminalit të trageteve në portin e Durrësit”, për shkak se janë certifikuar punime të pakryera përfituar padrejtësisht nga zbatuesi i punimeve në shumën 46 493 euro, si dhe rëndimin e kostos së projektit në shumën 150 262 euro. Ja ç’thuhet, mes të tjerave, në letrën e dërguar nga selia e BEI-t në Luksemburg.

Neni aktual 6.07 zëvendësohet nga një Nen i ri 6.07 me tekstin e mëposhtëm: “(a). Sjellje e Ndaluar: (i) Huamarrësi nuk do të angazhohet dhe do të garantojë se Lëvruesi dhe Përfituesi nuk do të angazhohen (dhe nuk do të autorizojnë ose lejojnë që ndonjë filial apo person tjetër të veprojë në emër të tyre dhe të angazhohet) në ndonjë Sjellje të Ndaluar në lidhje me Projektin, ndonjë procedurë tenderimi për Projektin apo transaksion të parashikuar nga Kontrata. Për qëllimet e kësaj Kontrate: “Praktikë e Ndaluar” nënkupton çdo: (a) Praktikë Shtrënguese që nënkupton dëmtimin apo lëndimin, apo kërcënimin për të dëmtuar dhe lënduar, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, ndonjë palë ose pronën e një pale për të ndikuar në mënyrë të padrejtë tek veprimet e një pale; (b) Praktikë Bashkëpunuese që nënkupton një marrëveshje ndërmjet dy apo më shumë palëve, të synuar për të arritur një qëllim të padrejtë, duke përfshirë një ndikim të padrejtë te veprimet e një pale tjetër; (c) Praktikë Korruptuese që nënkupton ofrimin, dhënien apo marrjen apo kërkimin, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, të diçkaje me vlerë nga një palë për të ndikuar në mënyrë të padrejtë tek veprimet e një pale tjetër; (d) Praktikë Mashtruese që nënkupton çdo veprim apo mosveprim, duke përfshirë një keqpërfaqësim, që në mënyrë të vetëdijshme apo nga pakujdesia çorienton ose synon të çorientojë një palë, me qëllim që të marrë një përfitim financiar apo përfitim tjetër, apo shmangien e një detyrimi; ose (e) Praktikë Penguese që nënkupton, në lidhje me një hetim për një Praktikë Shtrënguese, Praktikë Bashkëpunuese, Praktikë Korruptuese ose Mashtruese në lidhje me Huanë ose Projektin, (a) shkatërrimin në mënyrë të vetëdijshme, falsifikimin, ndryshimin apo fshehjen e materialit provues për hetimin; dhe/ose kërcënimin, shantazhin apo presionin ndaj një pale, për ta ndaluar atë që të zbulojë njohurinë e saj për çështje që lidhen me hetimin, ose ta ndalojë të ndjekë hetimin, ose (b) vepron me synimin për të ndaluar materialisht ushtrimin e të drejtave kontraktuale të auditimit apo aksesit në informacion. (ii) Huamarrësi merr përsipër të ndërmarrë një veprim të tillë, dhe do të garantojë se Lëvruesi dhe Përfituesi do të veprojnë kështu, nëse Banka, në mënyrë të arsyeshme do të kërkojë të hetojë apo t’i japë fund çdo rasti të pretenduar apo të dyshuar të ndonjë Sjelljeje të Ndaluar në lidhje me Projektin. (iii) Huamarrësi merr përsipër të garantojë, dhe duhet të garantojë se Lëvruesi dhe Përfituesi garantojnë se kontratat e financuara nga kjo Hua përfshijnë dispozitat e nevojshme që t’i mundësojnë Huamarrësit, Lëvruesit apo Përfituesit, të hetojnë apo t’i japin fund çdo rasti të pretenduar apo të dyshuar të ndonjë Sjelljeje të Ndaluar në lidhje me këtë Projekt. (b) Sanksionet: Huamarrësi nuk do të bëjë vetë, dhe do të garantojë se Lëvruesi dhe Përfituesi nuk do të (i) përfshihen në një marrëdhënie biznesi me ndonjë Person nën Sanksione, ose (ii) mundësojë disponimin e fondeve në dispozicion ose përfitimin e tyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, nga një Person nën Sanksione. (c) Menaxhimi i Huamarrësit: Huamarrësi merr përsipër dhe garanton që Lëvruesi dhe Përfituesi, brenda një periudhe kohore të arsyeshme, të marrë masat e nevojshme në lidhje me ndonjë anëtar të organeve administrative, i cili: (i) bëhet një Person nën Sanksione; ose (ii) është subjekt i një vendimi gjykate të formës së prerë dhe të parevokueshëm në lidhje me një Sjellje të Ndaluar të kryer gjatë ushtrimit të detyrave të tij/saj profesionale, me qëllim që të garantohet që një person i tillë të pezullohet, hiqet nga puna ose në çdo rast, përjashtohet nga çdo veprimtari e Huamarrësit në lidhje me Kredinë dhe Projektin. Për qëllimet e kësaj Kontrate: “Person nën Sanksione” nënkupton çdo individ ose njësi të renditur në një apo më shumë Lista Sanksionesh; “Lista Sanksionesh” nënkupton: (i) çdo masë kufizuese ekonomike, financiare dhe tregtare dhe embargo armësh të lëshuar nga Bashkimi Evropian në zbatim të Kapitullit 2 të Titullit V të Traktatit mbi Bashkimin Evropian, si dhe në Nenin 215 të Traktatit mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian që mund të gjendet në faqet online http://ec.europa.eu/external_relations/cfsp/sanctions/consol-list_en.htm., dhe http://eeas.europa.eu/cfsp/sanctions/aocs/measures_en.pdf, të ndryshuar dhe të plotësuar herë pas here ose në ndonjë faqe pasuese; ose (ii) çdo masë kufizuese ekonomike, financiare dhe tregtare dhe embargo armësh të lëshuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, që mund të gjendet në faqen zyrtare online të OKB-së http://www.un.org/Docs/sc/committees/lNTRO.htm, të ndryshuar dhe të plotësuar herë pas here, ose në ndonjë faqe pasuese”.

Një nen i ri 6.08 me titull “Libra dhe të Dhëna Llogarie” do të shtohet pas Nenit 6.07 me tekstin e mëposhtëm: “Huamarrësi, nëpërmjet Lëvruesit dhe Përfituesit, do të garantoje se Lëvruesi dhe Përfituesi Përfundimtar: (a) kanë mbajtur dhe do të vazhdojnë të mbajnë libra llogarie të përshtatshëm dhe të dhëna të llogarive, në të cilat do të bëhen hyrje të plota dhe të sakta të të gjitha transaksioneve financiare, aseteve dhe biznesit të Huamarrësit, duke përfshirë shpenzimet në lidhje me Projektin, në përputhje me GAAP, që është në fuqi herë pas here; dhe (b) mbajnë të dhëna të kontratave të financuara me të ardhurat e Huasë, duke përfshirë një kopje të vetë kontratës dhe dokumenteve materiale të lidhura me prokurimin, për të paktën 6 vjet nga data e kontratës. Për qëllimet e kësaj Kontrate: "GAAP" nënkupton parimet e kontabilitetit të pranuara përgjithësisht në Shqipëri, duke përfshirë dhe IFRS-në; dhe "IFRS" nënkupton standardet ndërkombëtare të kontabilitetit brenda kuptimit të Rregullores IAS 1606/2002 në masën që është e zbatueshme për deklaratat përkatëse financiare”.

Një Nen i ri 6.09 me titull “Përfaqësimi dhe Garancitë e Përgjithshme” shtohet pas

Nenit 6..08 me tekstin e mëposhtëm: “Huamarrësi përfaqëson dhe autorizon që ai, Lëvruesi dhe Përfituesi: (a) janë në përputhje me Nenin 6..05(v) dhe në dijeninë dhe bindjen e tyre (pasi kanë kryer kërkimin e duhur dhe të kujdesshëm) se nuk ka filluar ose nuk rrezikohet të fillojë asnjë Pretendim Mjedisor apo Social ndaj tij, Lëvruesit dhe Përfituesit; (b) në dijeninë e tij, asnjë nga fondet e investuara në Projekt nga Huamarrësi, Lëvruesi dhe Përfituesi ose nga njësitë nën kontrollin e tyre, nuk ka origjinë të paligjshme, duke përfshirë edhe produkte të Pastrimit të Parave ose të lidhura me Financimin e Terrorizmit; (c) As Huamarrësi, as Lëvruesi, dhe Përfituesi, si dhe punonjësit dhe drejtuesit e tyre, dhe as ndonjë person tjetër që vepron në emër të tyre ose nën kontrollin e tyre, nuk ka kryer ose nuk do të kryejë (i) ndonjë Sjellje të Ndaluar në lidhje me Projektin ose transaksionet e parashikuara nga Kontrata; ose (ii) ndonjë veprimtari të paligjshme në lidhje me Financimin e Terrorizmit apo Pastrimin e Parave; dhe (d) Projekti (duke përfshirë pa kufizim, negocimin, dhënien dhe përmbushjen e kontratave të financuara apo për t’u financuar nga Huaja) nuk ka përfshirë ose nuk ka shkaktuar asnjë Sjellje të Ndaluar. Për qëllimet e kësaj Kontrate: “Pretendim Mjedisor apo Social” nënkupton çdo pretendim / padi, hetim, njoftim zyrtar ose hetim nga ndonjë person në lidhje me Çështje Mjedisore apo Sociale që ndikojnë te Projekti, duke përfshirë ndonjë shkelje apo shkelje të pretenduar të ndonjë Standardi Mjedisor dhe Social; “Financim i Terrorizmit” nënkupton dhënien apo mbledhjen e fondeve me çdo mjet, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, me synimin që ato duhet të përdoren ose, në dijeninë se ato janë për t’u përdorur, tërësisht apo pjesërisht, për të kryer vepra penale brenda kuptimit të Neneve 1 deri 4 të Vendimit Kuadër të Këshillit të BE-së 2002/475/JHA të 13 qershorit 2002 për luftën kundër terrorizmit; dhe “Pastrim i Parave” nënkupton: (i) konvertimin apo transferimin e pronës, duke qenë në dijeni se kjo pronë ka rrjedhur prej aktivitetit kriminal ose nga një veprim i pjesëmarrjes në një aktivitet të tillë, për qëllime të fshehjes apo mbulimit të origjinës së paligjshme të pronës, ose ndihmën për një person që është përfshirë në kryerjen e një aktiviteti të tillë për t’iu shmangur pasojave ligjore të veprimit të tij; (ii) fshehjen apo mbulimin e natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, të drejtave në lidhje me ose në pronësi të pronës, duke pasur dijeni se një pronë e tillë ka rrjedhur nga një aktivitet kriminal ose nga një veprim i pjesëmarrjes në një aktivitet të tillë; (iii) marrjen, zotërimin apo përdorimin e pronës, duke pasur dijeni në kohën e marrjes se kjo pronë ka rrjedhur nga një aktivitet kriminal ose nga një veprim i pjesëmarrjes në një aktivitet të tillë; ose (iv) pjesëmarrjen në, bashkëpunimin për të kryer, tentativën për të kryer dhe mbështetjen, inkurajimin, lehtësimin dhe këshillimin për kryerjen e çdo veprimi të përmendur në pikat e mësipërme”.

1. Pika (i) e Nenit 8.01 ndryshohet si më poshtë: “(i) t’i japë Bankës (a) informacion në përmbajtje dhe në formë, dhe herë pas here edhe në kohën e përcaktuar në Grafikun A. 2 ose siç mund të jetë rënë dakord herë pas here nga palët e kësaj Kontrate, dhe (b) çdo informacion i tillë ose dokument tjetër në lidhje me financimin, prokurimin, zbatimin, funksionimin e Projektit dhe çështjeve mjedisore dhe sociale të lidhura me të, siç mund të kërkojë Banka në mënyrë të arsyeshme brenda një kohe të arsyeshme”;

2. Një pike e re (vi) do të shtohet pas pikës (v) me tekstin e mëposhtëm: “(vi) të informojë menjëherë Bankën për: (a) çdo veprim apo protestë të iniciuar apo çdo kundërshtim i ngritur nga një palë e tretë apo ndonjë kërkesë të mirëfilltë që ka marrë Huamarrësi, Lëvruesi dhe Përfituesi, apo ndonjë Pretendim Mjedisor apo Social që në dijeninë e tij ka filluar, është pezull apo është deklaruar apo rrezikuar se do të bëhet kundër tij; (b) çdo fakt apo ngjarje në dijeninë e Huamarrësit, Lëvruesit dhe Përfituesit, që mund të cenojë apo ndikojë kryesisht në kushtet e ekzekutimit ose funksionimit të Projektit; (c) çdo mospërputhje nga ana e tij me ndonjë Standard Mjedisor dhe Social; (d) çdo pezullim, revokim apo ndryshim të ndonjë Miratimi Mjedisor apo Social; (e) një pretendim apo ankesë të mirëfilltë në lidhje me Sjellje të Ndaluar në lidhje me Projektin; (f) në rast vënie në dijeni të ndonjë fakti apo informacioni që konfirmon apo sugjeron në mënyrë të arsyeshme se (a) ka ndodhur ndonjë Sjellje e Ndaluar në lidhje me Projektin ose (b) ndonjë fond i investuar në kapitalin e tij apo në Projekt, ka rrjedhur nga ndonjë origjinë e paligjshme; (g) një listë e politikave në fuqi që mbulon pronën e siguruar që përbën pjesë të projektit, së bashku me konfirmimin e pagesës për primet aktuale; dhe (h) kopje të vërtetuara të kontratave të financuara me produktet e Huasë dhe prova të shpenzimeve për disbursimet”.

Në Nenin 8.02 do të shtohen pika të reja (v) deri (vii) pas pikës (iv) me tekstin e mëposhtëm: “(v) çdo fakt apo ngjarje që rezulton se (a) ndonjë nga anëtarët e vet të organeve administrative apo të Lëvruesit dhe të Përfituesit ose (b) ndonjë nga njësitë që kanë nën kontroll është Person nën Sanksione; (vi) deri në masën që lejohet nga ligji, çdo proces gjyqësor, arbitrazh, procedim administrativ apo hetim i kryer nga ndonjë gjykatë apo autoritet publik i ngjashëm, që, në dijeninë dhe bindjen e tij, është aktual, brenda një kohe të shpejtë apo pezull kundër Huamarrësit, Lëvruesit-dhe Përfituesit ose njësive që ka nën nën kontroll ose anëtarë të njësive administrative të Huamarrësit, Lëvruesit dhe Përfituesit në lidhje me Sjelljen e Ndaluar për sa i përket Kredisë ose Projektit; dhe (vii) çdo masë e marrë nga ana e Huamarrësit, Lëvruesit dhe Përfituesit në zbatim të Nenit 6.07 të kësaj Kontrate”.

Nenet aktuale 8.03 dhe 8.04 do të zëvendësohen nga një Nen i ri 8.03 me titull “Vizita, të Drejtat e Aksesit dhe Hetimi” me tekstin e mëposhtëm: “(a) Huamarrësi do të lejojë dhe do të garantojë që Lëvruesi dhe Përfituesi të lejojnë personat e caktuar nga Banka, si dhe personat e caktuar nga institucione të tjera apo organe të Bashkimit Evropian, kur kjo kërkohet nga dispozita përkatëse të detyrueshme të ligjit të Bashkimit Evropian: (i) të vizitojnë vendet, instalimet dhe punët që përfshin projekti dhe të kryejnë kontrolle të tilla siç do të kërkojnë për qëllimet në lidhje me këtë Kontratë dhe me financimin e Projektit, (i) të intervistojnë përfaqësuesit e Huamarrësit dhe/ose Lëvruesit dhe/ose Përfituesit, dhe të mos pengojnë kontaktet me ndonjë person tjetër të përfshirë në ose të ndikuar nga Projekti; dhe (iii) të shqyrtojnë librat e llogarisë dhe regjistrat e Huamarrësit dhe/ose Lëvruesit. dhe/ose Përfituesit në lidhje me ekzekutimin e Projektit dhe të jenë në gjendje të bëjnë kopje të dokumenteve të lidhura me to, në masën që e lejon ligji; (b) Huamarrësi do të lehtësojë dhe do të garantojë që Lëvruesi dhe Përfituesi të lehtësojnë hetimet nga Banka dhe institucione ose organe të tjera kompetente të Bashkimit Evropian në lidhje me ndonjë rast të pretenduar apo të dyshuar për Sjellje të Ndaluar dhe do t’i japin Bankës, ose do të sigurojnë që Banka të pajiset me ndihmën e nevojshme për qëllimet e përshkruara në këtë Nen; dhe (c) Huamarrësi pranon që Banka mund të jetë e detyruar t’i komunikojë informacion që lidhet me Huamarrësin, Lëvruesin dhe Përfituesin dhe Projektin, çdo institucioni apo organi kompetent të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Gjykatën e Audituesve të Bashkimit Evropian, Komisionin Evropian dhe Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit, siç të jetë e nevojshme për kryerjen e detyrave të tyre në përputhje me dispozitat përkatëse të detyrueshme të ligjit të Bashkimit Evropian”.

Palët i nënshtrohen juridiksionit të Gjykatës së Bashkimit Evropian. Palët e këtij Amendimi nr. 2 të Kontratës Financiare heqin dorë nga çdo imunitet apo e drejtë që të kundërshtojnë juridiksionin e këtyre gjykatave. Një vendim gjykate që jepet në zbatim të këtij Neni, do të jetë përfundimtar dhe detyrues për çdo palë, pa kufizim apo rezervë.

 

 

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/