2 qershor 2015 – Trageti Norman Atlantic ndërsa udhëtonte nga Porti i Gumenicës në Greqi drejt brigjeve italiane, u përfshi nga flakët natën e 28 dhjetorit duke gdhirë 29 dhjetori 2014.

Në traget zyrtarisht gjendeshin 478 persona pasagjerë dhe persona të ekuipazhit. Faktikisht numri ishte më i madh, sepse në traget kishte disa klandestinë dhe pasagjerë të paregjistruar në listën e pasagjerëve, si rezultat i allishverisheve të agjentëve detarë grekë për t’i vjedhur kompanisë paratë e biletave të këtyre pasagjerëve të paregjistruar ne listën e pasagjerëve.

Bilanci përfundimtar i tragjedisë ishte 11 të vdekur dhe 18 persona të humbur, trupat e të cilëve nuk janë gjetur ende.

Këtë të hënë më 1 qershor 2015, në Bari të Italisë autoritetet italiane hapën në mënyrë mekanike portën e madhe të tragetit, nëpërmjet së cilës hyhet në garazhin e anijes, ku janë parkuar kamionët, furgonët, trajlerat dhe autoveturat. Në foto duken pasojat e tmerrshme të zjarrit mbi automjetet në fjalë. Autoritetet italiane shpresojnë që të gjejnë edhe mbeturinat  e djegura të një apo disa prej trupave të personave të konsideruar si të zhdukur.

/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/