22 maj 2015 – Ardian Kokomani, kandidati i aleancës së majtë për Bashkinë e Shijakut është prezantuar nga kryeministri Edi Rama, si zgjedhja e duhur për çdo familje të Shijakut.
Duke theksuar se opozita nuk ka gjë në dorë, Rama u tregoi banorëve se Shijaku do të shkojë në drejtimin e duhur vetëm nëse zgjidhet Kokomani, pasi ai ka mbështetjen e qeverisë. Pra, duke lënë të nënkuptohet se nëse fiton i djathti, qeveria nuk do e mbështesë dhe Shijaku do ngelet në vend numëro.
“Zgjedhjet e 21 qershorit nuk janë zgjedhje për të mbajt SHQUP-in me gajret, nuk janë as zgjedhje për ato muhabete që bën SHQUP-i, jo do ulim çmimin e dritave, jo do bëjmë taksat 0, jo do bëjmë këtë mrekulli apo ndonjë gjë tjetër. Ata ngaqë nuk kanë gjë në dorë, i bëjnë të gjitha. Të gjitha këto nuk mund t’i bëjë dot, ai që ju ka sjellë juve SHQUP-in këtu, se nuk ka si i bën. Këto mund t’i bëjë vetëm një kryetar bashkie që ka të gjithë mbështetjen e qeverisë”, u shpreh Rama.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/