·       Para shtëpisë së lindjes, një rrënjë ulliri dhe pllaka e mermertë me fjalët e Nënë Terezës: “Fëmijët kurrë nuk mund të jenë mjaft. Fëmijët janë të bekuar”. 

DURRËS, 20 maj 2015 – Një ngjarje e  jashtëzakonshme në Ditën Botërore të Jetimëve: një grup fëmijësh jetimë në qytetin e Durrësit u kanë dërguar nga një trëndafil nënave që sapo kishin lindur.

Të inkuadruar në shoqatën “Shpresë për Jetimët”, një grup fëmijësh jetimë në qytetin e Durrësit u janë drejtuar zyrave të bashkisë së qytetit për të ngritur problemet, nevojat për përkujdesje të shoqërisë ndaj tyre, si fëmijë që kanë nevoja të shumta për shkak të mungesës së prindërve. Ata u pritën nga Lavdosh Beqiraj, shefi i kabinetit të kryetarit të bashkisë, i cili zhvilloi një bashkëbisedim të ngrohtë me ta, duke shfaqur gatishmërinë për t’u qëndruar pranë në çdo kohë dhe me të gjitha mjetet.

Më pas fëmijët kanë shkuar në maternitetin e Durrësit, ku kanë mbjellë një rrënjë ulliri, që e sollën nga Gosa e Kavajës dhe që u ishte dhuruar nga shoqata “Në dobi të gruas shqiptare”. Në pllakën prej mermeri, që vendosën pranë pemës, ishin gdhendur fjalët e Nënë Terezës: “Fëmijët kurrë nuk mund të jenë mjaft. Fëmijët janë të bekuar”.

Duke qenë pranë maternitetit, në përkujtim të nënave të tyre të munguara, fëmijët u kanë dërguar nga një trëndafil nënave që sapo kishin lindur fëmijë.

Në fund fëmijët jetimë dhanë një program të pasur artistik në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Organizatorët e kësaj veprimtarie theksuan se fëmijët jetimë janë të shumtë në vendin tonë dhe në Durrës, por numri zyrtar i tyre është i mangët, pasi duhet korrigjuar ligji, i cili duhet të njohë si jetimë jo vetëm fëmijët që nuk kanë prindër, por edhe fëmijët me prindër të paaftë për t’i rritur.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi m. b./