Një gjykatës në shtetin amerikan të New Mexico ka urdhëruar kompaninë Meta të paguajë 567 milionë dollarë për dështimin në paralajmërimin e publikut lidhur me rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët.
Vendimi përbën gjobën më të madhe të vendosur ndonjëherë ndaj kompanisë për çështje që lidhen me sigurinë e fëmijëve.
Ky vendim i shtohet një gjobe të mëparshme prej 375 milionë dollarësh në të njëjtin proces gjyqësor, duke e çuar shumën totale që Meta duhet të paguajë në 942 milionë dollarë.
Gjykatësi Bryan Biedscheid e cilësoi Meta-n si një “shqetësim publik”, duke e krahasuar ndikimin e saj me ndotjen e ajrit. Sipas tij, algoritmet dhe përmbajtja e platformave të kompanisë kanë kontribuar në dëmtimin psikologjik të fëmijëve dhe ekspozimin e tyre ndaj shfrytëzimit seksual. Për këtë arsye, ai urdhëroi krijimin e një fondi që do të financojë programe për zbutjen e dëmeve të shkaktuara.
Nga shuma e re, 420 milionë dollarë do të përdoren për trajtimin e pasojave që platformat e Meta-s kanë shkaktuar te të miturit, përmes financimit të programeve klinike dhe shërbimeve të shëndetit mendor.
Padia u ngrit në vitin 2023 nga autoritetet e New Mexico, të cilat argumentuan se Meta kishte dështuar të mbronte fëmijët nga përmbajtjet me natyrë seksuale dhe kontaktet me grabitqarët seksualë.
Gjatë fazës së parë të procesit gjyqësor u konstatua se algoritmet e rekomandimit të kompanisë i drejtonin në mënyrë të përsëritur përdoruesit e rinj drejt përmbajtjeve dhe kontakteve të dëmshme.
Në vendimin e tij, gjykatësi theksoi se efektet e platformave të Meta-s nuk kufizohen vetëm në internet, por shtrihen edhe në jetën reale, duke krijuar pasoja për fëmijët, familjet, shkollat, sistemin shëndetësor dhe organet e zbatimit të ligjit.
Meta, e cila zotëron Facebook, Instagram, WhatsApp dhe Threads, kundërshtoi vendimin dhe njoftoi se do ta apelojë atë. Në një reagim zyrtar, kompania tha se investon vazhdimisht në sigurinë e përdoruesve, se ka qenë transparente për sfidat në identifikimin e përmbajtjeve të dëmshme dhe se mbetet e bindur në efektivitetin e masave të saj për mbrojtjen e adoleshentëve.
Kjo është hera e parë që një shtet amerikan fiton me sukses një proces të tillë kundër Meta-s për sigurinë e fëmijëve. Kompania po përballet gjithashtu me mijëra padi të ngjashme në Shtetet e Bashkuara, ndërsa më herët gjatë këtij viti humbi edhe një çështje tjetër gjyqësore në Los Angeles me pretendime të ngjashme.





