16 maj 2015 – Pasi Barack Obamës t’i përfundojë mandati presidencial, Associated Press thotë se çështja kryesore është vendimi se ku do të jetojë familja Obama pasi ta lërë Shtëpinë e Bardhë.
Ata e kanë ende në pronësi një shtëpi në Çikago, ndërsa familja Obama kalon çdo Krishtlindje në Hauai, ndonëse ky vend nuk pritet të jetë vendbanimi i tyre i ri.
Presidenti dhe zonja e parë Michelle Obama, me siguri se do të jenë të interesuar që të vazhdojnë aktivitetet publike, ndërsa shtëpitë botuese do të jenë të gatshme të paguajnë miliona për librat e tyre të kujtimeve.
Obama ka treguar se ka si qëllim që t’iu rikthehet ligjëratave dhe punës në komunitet, diçka që ai e ka bërë para se të angazhohej në politikë.
Michelle Obama planifikon që të mbetët e angazhuar në përpjekjet e saj për të reduktuar mbipeshën te fëmijët, të ndihmojë veteranët, të inkurajojë studentët që të përfundojnë kolegjin apo shkollat teknike dhe të angazhohet për arsimimin e vajzave.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/