Një ditë pasi aksidenti i mori jetën 16-vjeçarit Flavio Osmani, banorët e Sukthit kërkojnë të ndërhyhet në rrugën që u bë shkak për ngjarjen tragjike.
Banorët shprehen se në segmentin ku ndodhi përplasja e dy mjeteve mungon ndriçimi dhe është shumë e ngushtë.
Sipas tyre, drejtuesit e mjeteve në përpjekje për të mos përfunduar në një gropë janë aksidentuar me njëri-tjetrin dhe më pas mjeti që drejtonte Osmani ka devijuar dhe është përplasur me shtyllën.
“Kjo rrugë, siç e shihni është me të vërtetë fatkeqësi për këtë komunitet sepse është shumë e ngushtë. Këtu hasim shumë probleme. Shumë aksidente bëhen për shkak të kësaj rruge, mos të flasim pastaj për ndriçimin. Është shmangur gropa dhe janë përplasur dy makinat. Ka devijuar makina dhe është përplasur në shtyllë. Të humb jetën dikush për një gropë të vogël, është tmerr.”
“Bën vaki i është shmangur gropës aty, edhe iku çuni. Më keq nuk ke ku e çon, ka ikur djali nëpër thonj.”
“Ka 10 vjet, të zgjerohet rruga, të vihen ndriçime. Asnjë gjë nuk është bërë.”, shprehen banorët.
16-vjeçari që mbeti viktimë e aksidentit të të shtunës mbrëma ishtë djali i kreut të Njësisë Administrative Sukth, Rrapo Osmani. Mësohet se viktima kishte marrë makinën e të atit, dhe po udhëtonte bashkë më tre miqtë e tij, të cilët mbetën të plagosur. Aksidenti ndodhi në vendin e quajtur “Fusha e patateve”, në aksin rrugor që lidh Sukthin me Gjirin e Lalzit.