·                        EKSKLUZIVE / Dy ngjarje paralele të panjohura që kanë ndodhur më 24 prill 2015. “Dyrrah”-u zbardh misteret e një koincidence në qytetin nr. 2 të Shqipërisë. Kështu një njoftim i “durreslajm.com” vuri në lëvizje përfaqësitë e Uashingtonit dhe Moskës në Tiranë

DURRËS, 7 maj 2015 –  Një koincidencë që mund të mos jetë e tillë, por është fakt që tani bëhet publik. Fjala është për një “garë” diplomatike midis Moskës dhe Uashingtonit për qytetin nr. 2 të Shqipërisë, ku dy ngjarje paralele kanë ndodhur më 24 prill 2015. Me të njëjtin “objektiv”: kishat. Por me ndryshim. Nëse amerikanët duan të ndërgjegjësojnë të rinjtë për ruajtjen si monument kulture të kishës katolike të Shën Ndout në Kepin e Rodonit, rusët japin libra për të mësuar priftërinjtë e ardhshëm në akademinë teologjike ortodokse të Shën Vlashit.

ME 10 E 11 DITË VONESË

Vetëm më 5 maj 2015, me 10 e 11 ditë vonesë,  Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, madje dhe vetë misioni në Tiranë në sajtin e vet (vetëm në rusisht), njoftoi për dy veprimtari të ambasadorit A. R. Karpushin në Durrës, më 23 dhe 24 prill 2015.  Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u (http://www.durreslajm.com/aktualitet/nishani-refuzoi-putinin-ja-si-i-p%C3%ABrgjigjet-nga-durr%C3%ABsi-ambasadori-rus), më 23 prill 2015, Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Rusi në bashkëpunim me Ambasadën e Federatës Ruse në Tiranë organizoi në galerinë “Jozef” një aktivitet përkujtimor për 70-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ku ishte i pranishëm dhe ambasadori A. R. Karpushin. 

KREMLINI: MARRËDHËNIE NDËRKISHTARE RUSO-SHQIPTARE

Të nesërmen, më 24 prill 2015, shefi i misionit rus në Tiranë ka ardhur sërish në Durrës, tashmë në akademinë teologjike ortodokse të manastirit të Shën Vashit (në të folmen e Durrësit “Shinavlash”). Po t’i besojmë versionit zyrtar të MPJ të Rusisë “Ambasadori rus në Shqipëri A. R. Karpushin i dorëzoi një dhuratë personale seminarit ortodoks të Durrësit nga Shenjtëria e Tij Patriku i Moskës dhe gjithë Rusisë, Kiril-i”. Për këtë arsye, “më 24 prill 2015 u zhvillua një ceremoni solemne për dorëzimin bibliotekës së seminarit ortodoks të Durrësit të 36 vëllimeve të “Enciklopedisë ortodokse”. Librat… ia dorëzoi drejtorit të seminarit, peshkopit të Apolonisë Nikolla, personalisht ambasadori i Rusisë në Shqipëri A. R. Karpushin… [i cili] pasi vuri në dukje në fjalën e tij se dhurata e Patrikut është shenjë e nderimit të madh dhe dëshirës së sinqertë për forcimin e marrëdhënieve ndërkishtare me Shqipërinë”. Gjithashtu MPJ ruse thotë: “Në fund të fjalës së tij A. R. Karpushin-i nënvizoi posaçërisht rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërkishtare midis Rusisë dhe Shqipërisë, si dhe të bashkëpunimit në forcimin e lidhjeve shpirtërore, që bashkojnë popujt rus dhe shqiptar. Në kuadrin e ceremonisë së zhvilluar, ambasadori rus u dha gjithashtu intervistë kanalit televiziv vendor të Durrësit “Adria Net” [administrator Arqile Gorea – “Dyrrah”-u] dhe radiostacionit kishtar të Tiranës “Ngjallja e Krishtit”, në të cilën uroi për prosperitetin e popullit shqiptar, shumëfishimin e potencialit të tij shpirtëror, si dhe arritjen me sukses të të gjitha prioriteteve të zhvillimit, që Shqipëria i ka vënë vetes”. Bie në sy fakti që as Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, as “Adrianet.TV” as “Ngjallja” nuk kanë ruajtur në sajtet e tyre apo në facebook ndonjë lajm për këtë ngjarje.

SHBA: DATABASE PËR OBJEKTE TË TRASHËGIMISË SË KRISHTERË,

Nga ana tjetër, po më 24 prill 2015, teksa ambasadori rus ndodhej në Shinavlash, zëvendësambasadori amerikan Henry V. Jardine dhe punonjës të tjerë të selisë diplomatike ishin në Ishëm. Sikurse ka njoftuar “Dyrrah”-u (http://www.durreslajm.com/kultura/monumentet-ambasada-amerikane-me-nx%C3%ABn%C3%ABs-t%C3%AB%E2%80%9Crilindjes%E2%80%9D-n%C3%AB-rodon), më 24 prill 2015, një grup prej 22 vullnetarësh të shkollës jopublike “Rilindja”, u ftuan nga ambasada amerikane në kishën e Shën Ndout, me rastin e fillimit të një projekti për futjen e të gjitha objekteve të trashëgimisë, të besimit të krishterë, në një database. Ky moment shënoi për të rinjtë edhe vizitën e tyre të parë zyrtare në këtë monument. Dy nga vullnetarët ofruan një guidë për të pranishmit në këtë aktivitet dhe më pas të gjithë pjesëmarrësit bënë një marshim drejt kalasë së Skënderbeut, një tjetër monument i kësaj zone.

“INTRIGA”

Në të vërtetë, më 23 prill 2015, “Dyrrah”-u (http://www.durreslajm.com/aktualitet/ambasadori-lu-t%C3%AB-premten-viziton-durr%C3%ABsin) njoftoi se “Shkëlqesia e tij Ambasadori [amerikan Donald] Lu këtë të premte më 24 prill 2014 do të vizitojë qytetin e Durrësit. Vizita e ambasadorit amerikan në Durrës do të kryhet në kuadrin e aktiviteteve për Ditën e monumenteve… Vizita e ambasadorit Lu në Durrës do të kryhet vetëm pak orë pas pjesëmarrjes në aktivitetin përkujtimor në Galerinë “Jozef” të ambasadorit rus në Tiranë Shkëlqesisë së tij Aleksandër Karpushin”.

Ndoshta, ku lajm mund të ketë ndikuar në anulimin jo të veprimtarisë, por të pjesëmarrjes së ambasadorit, duke dërguar zëvendësin e tij në Durrës. Kjo thjesht për çështje sigurie, pasi media “dekonspiroi” vizitën. Nuk përjashtohet mundësia që ambasada ruse në Tiranë të ketë “interceptuar” lajmin on-line për vizitën e Donald Lu-së në Durrës dhe ka përgatitur urgjentisht veprimtarinë në Shënvlash.

/red. pol. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/