27 prill 2015 – Sot është përuruar përfundimi i punimeve në shkollën e mesme teknologjike "Hysen Çela" në Durrës. Shkolla në fjalë i është nënshtruar një rikonstruksioni total, ndërkohë që në krah të saj është ndërtuar edhe një godinë e re në ndihmë të procesit mësimor dhe praktikës së nxënësve

Mjediset e reja të shkollës “Hysen Çela” dhe godina e re kanë kushtuar rreth 1.8 milionë euro, fond i akorduar nga Bashkimi Evropian. Kjo shkollë së bashku me shkollën tjetër profesionale, "Beqir Çela" që gjendet në Shkozet, kanë 2138 nxënës gjithsej. Në shkollën e mesme teknologjike nxënësit mësojnë në 5 degët e saj që janë: Hoteleri-Turizëm, Tekstil Konfeksion, Teknologji Ushqimore, Peshkim dhe Ekonomi Biznes.

I pranishëm në këtë inaugurim ishte dhe ministri në largim i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i cili u bëri sërish thirrje të rinjve që të zgjedhin arsimin profesional, pasi është e vetmja rrugë për të siguruar punë.

Sipas tij, tashmë të rinjtë durrsakë dhe familjet e tyre e kanë kuptuar rëndësinë e arsimit profesional.

“U drejtohem prindërve tuaj të cilëve dua t’u them se keni bërë shumë mirë qe keni sjellë fëmijët tuaj në këtë shkollë profesionale. Kjo është e vetmja rrugë për të siguruar punë.

Janë 40 përqind e nxënësve që u regjistruan në arsimin profesional. Ne dhe Dako përfaqësojmë një mentalitet të ri në menaxhimin e këtij vendi”, deklaroi Veliaj.

Pjesëmarrës në takim ishte edhe kreu aktual i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili nuk harroi t’i uronte suksese Veliajt në garën për bashkinë e Tiranës si kandidat i koalicionit të majtë, dhe me një siguri të madhe ai e konsideroi Veliajn si kolegun e tij të ardhshëm, pra sipas Dakos, ata të dy do të fitojnë zgjedhjet e 21 qershorit.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/