Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas aksidentit të rëndë që ndodhi sot në Kroaci, ku një autobusit i linjës me targa të Kosovës doli nga rruga dhe për pasojë humbën jetë 10 persona.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti shkruan se lutet që të ketë sa më pak të vdekur dhe se ende nuk kanë konfirmime zyrtare për detajet e aksidentit, por se ministri i Brendshëm i Kosovës po niset drejt Kroacisë.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit. Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb. Me ankth e shpresë jemi pranë qytetarëve tanë dhe familjeve të tyre në këto çaste të rënda”, shkruan Kurti.

Gjithashtu në lidhje me këtë ngjarja ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila shprehet se, ky është lajm tragjik e i rëndë sot për vendin tonë.

“Lajm tragjik e i rëndë sot për vendin tonë. Nga kontakti me Ambasadën e Kosovës në Zagreb dhe me autoritetet kroate, jam njoftuar se nga një aksident komunikacioni që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën tragjikisht dhjetë udhëtarë e shumë të tjerë janë lënduar. Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë! Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë. Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t’u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik.”, shprehet Osmani.