Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se sulmet e mëdha kibernetike në SHBA mund të çojnë në luftë të vërtetë.
“Nëse përfundojmë në luftë, luftë të vërtetë, me të shtëna, me një fuqi të madhe, ajo do të jetë pasojë e një shkeljeje kibernetike me pasoja të mëdha”, tha Biden para komitetit të inteligjencës.
Ai vuri në dukje një numër në rritje të sulmeve kibernetike kundër agjencive qeveritare dhe industrisë private në SHBA.
Zyrtarët amerikanë i kanë lidhur këto sulme me Rusinë dhe Kinën. Disa prej tyre kanë ndodhur në gjashtë muajt e parë të presidencës Biden.
Qindra kompani amerikane janë prekur nga një sulm kibernetik, që është kryer më 2 korrik, kundër kompanisë së teknologjisë Kaseya, me seli në Florida.
Në maj, hakerët kanë sulmuar operatorin më të madh të tubacionit të karburanteve në SHBA, Colonial Pipeline, ndërsa në qershor, shënjestër e sulmit kibernetik ka qenë kompania më e madhe në botë për përpunimin e mishit, JBS.
Biden ka biseduar me homologun rus, Vladimir Putin, për sigurinë kibernetike gjatë takimit të tyre në Gjenevë, muajin e kaluar.
Biden është zotuar se “do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm” për të ndaluar sulmet kibernetike nga Rusia, ka thënë Shtëpia e Bardhë. /REL





