Mjeku i njohur Ghassan Kamel, në spitalin St. Louis të Missouri, bën thirrje për sa më shumë vaksinim dhe mbajtjen e maskave mbrojtëse, si masa për të parandaluar më tej përhapjen e COVID-19.
“Nëse nuk ju pëlqen të bartni maskë, sigurisht se do ta pëlqeni më pak ventilatorin”, thotë mjeku Ghassan Kamel.
Sipas tij shumica e pacientëve tanimë janë në një moshë të re, ndryshe nga muajt e dimrit, ku spitalet u mbipopulluan nga prezenca e të moshuarve. Por sipas tij, vaksinimi është “arma” e duhur për ta larguar përfundimisht virusin.
Për të dëshmuar efikasitetin e vaksinës kundër COVID-19, mjeku ka publikuar ecurinë e mushkërive të dy pacientëve me koronavirus, njëri që e ka marrë vaksinën, e tjetri jo.
Ai ka analizuar ngjyrën e bardhë në mushkëri që tregon përhapjen e virusit, e që sipas tij mund të jenë baktere, mukozë apo sekrecion.
Nëse shikoni mushkëritë e pacientit të vaksinuar, do të shihni që ato janë plotë oksigjen dhe duken të zeza apo më saktë akoma dominon ngjyra e zezë sesa e bardha, siç ishte rasti me pacientin me COVID-19, por që nuk është vaksinuar.
Madje sipas tij ekziston një përqindje shumë e vogël që personat e vaksinuar të infektohen me COVID-19, por edhe nëse ndodh një gjë e tillë ata nuk kanë nevojë as për trajtim në spital.





